BASKETBOLLISTI I PEJËS NDËRRON AMBIENT

Rron Ukaj zyrtarizohet te ekipi prishtinas
9 July, 2025 @11:22
Basketbollisti pejan, Rron Ukaj, nuk do të jetë pjesë e ekipit të Pejës për stinorin 2025/26. Ekipi prishtinas, Bora, që siguroi mbijetesën në Superligë në edicionin e kaluar, ku ishte stinori debutues i tyre, ka zyrtarizuar pejanin 200-centimetra të gjatë si përforcim i parë i ekipit.
Ukaj 24-vjeçar që në karrierën e tij ka qenë kryesisht pjesë e Pejës, por ka luajtur edhe në ekipe tjera kohë pas kohe si Rahoveci, ndërkaq në grupmosha të reja zgjedhej MVP i evropianeve të kategorisë ku luante Kosova, është bërë pjesë e Borës për edicionin garues 2025/26.
Bora përndryshe pasi që ndau rrugët në përfundim të stinorit me trajnerin Danilo Rakocevic, me të cilin edhe mbijetuan në Superligë përmes playoutit, ka emëruar si trajner të ri të ekipit, bullgarin Lubomir Minchev. Ky i fundit me shumë përvojë dhe me trofe nga basketbolli edhe i Kosovës.
Përndryshe Ukaj në stinorin e kaluar ka pasur mesatarisht 16.9 minuta për ndeshje, duke dhënë 4.2 pikë për lojë, 0.4 asistime dhe 3.8 kërcime për lojë. Ai është paraqitur për Pejën në 32 ndeshje përgjatë stinorit të kaluar. Gjithashtu, është pjesë e rregullt e Kosovës në kualifikime.