QENDRA PEJANE MBETET NË SUHAREKË

Edhe Lis Shoshi vazhdoi me Yllin
11 July, 2025 @11:03
Njëri ndër basketbollistët e paktë nga Kosova që kanë arritur të dalin jashtë vendit në karrierën e tyre, Lis Shoshi, ka vazhduar kontratën me ekipin e tij të stinorit të kaluar, KB Ylli.
Përmes një njoftimi mbrëmë, ekipi suharekas ka bërë të ditur se ka vazhduar marrëveshjen me qendrën pejane, duke e zgjatur kontratën jo një, por për dy stinorë. Lisi tash është 31-vjeçar, ndërsa me 211-centimetrat e tij pritet të jetë forca speciale vendore e suharekasve për stinorin 2025/26.
“Lis Shoshi, i shumëkërkuari nga klubet në Kosovë, e di se ku është më së miri – në shtëpinë e kampionëve!
Lisi do të jetë për dy vite pjesë e Golden Eagle Yllit.
Në vitin jubilar – 50 vjet Golden Eagle Ylli – bashkohemi më të fortë se kurrë!” — shkroi KB Ylli në njoftim.
Përndryshe, në stinorin e kaluar te Ylli, Shoshi ka luajtur me këto mesatare: 27.4 minuta për ndeshje, 10.1 pikë për ndeshje, 0.9 asistime për ndeshje, 1.5 bllokada për ndeshje, 6.4 kërcime për ndeshje. Këto në Superligë. Ai gjithashtu është reprezentues i Kosovës.
Ylli këtë stinor do të drejtohet nga trajneri grek, Fotis Takianos, që e njeh Superligën e Kosovës, pasi që më parë gjatë karrierës së tij ka punuar te Bashkimi dhe te Rahoveci.