ATLETIKË

Bolti e mbyll me të artë
20 August, 2016 @14:48
Usain Bolt ka fituar të artën e tretë në këtë olimpiadë, dhe të nëntë në përgjithësi me fitoren e stafetës 4x100m për meshkujt. Asafa Powell, Yohan Blake, e Nickel Asheade, vrapuan bashkë me Bolt për të lënë mbrapa SHBA-të që më pas u diskualifikuan për shkak të gabimit në ndërrimin e parë të stafetës. E argjendta i takoi Japonisë me rekord të ri aziatik prej 37.60 sekonda, 0.33 me vonë se Xhamajka. Kanadaja me Andre De Grasse që fitoi medaljen e tretë në këtë olimpiadë përfunduan në të bronztën me rekord të ri kombëtar.
Tek femrat, SHBA-të mbrojtën të artën falë katërshes Allyson Felix, English Gardner, Tori Bowie e Tianna Bartoletta. Ato lanë pas Xhamajkën dhe Britaninë e Madhe.
Në kërcim me purtekë tek femrat, grekja Ekaterini Steefanidi mori të artën me 4.85m, aq sa pati edhe Sandi Morris nga SHBA-të për të argjendtën. Eliza MCartney nga Zelanda e Re mori të bronztën me 4.80m.
Finalja tjetër tek femrat ishte ajo në 5000m që i takoi Vivian Cheruiyot nga Kenia. Kampionia aktuale e botës në distancën dyfish më të largët, fitoi të artën pas të argjendtës në Londër në këtë disiplinë duke lënë mbrapa bashkëkombësen Hellen Onsando Obiri. E treta doli kampionia nga 10000m në Rio, Almaz Ayana nga Etiopia.
E arta e fundit në atletikë të premten shkoi për Dilshod Nazarov nga Taxhikistani. Ai i solli të artën e parë olimpike në këtë sport vendit të tij duke hedhur çekanin për 78.68m. Ivan Tsikhan nga Bjellorusia përfundoi i dyti para Wojciech Nowickit nga Polonia