DITARI NR. 6 @ RIO 2016

Brikeni mbetet pa medalje
Shkruan: Luan MORINA
10 August, 2016 @14:16
Më në fund do të kemi finale që në fillim të ditës olimpike. Borozani.com
Sot nisin finalet në lundrim, dhe përfundojnë garat në çiklizëm rrugor me kronometër.
Por, ti kthehemi ditës së djeshme ku amerikanët dëshmuan se sa janë vend i madh në sport. Skuadra e gjimnasteve qe ndërruar në tërësi nga ajo e Londrës. Simone Biles, Laurie Hernandez, Madison Kocian shijuan të artën olimpike pasi kanë dominuar gjimnastikën dy-tri vitet e fundit duke mos lënë gjë pa fituar. Kjo ndjenjë tashmë ishte e njohur për Gabby Douglas e Aly Raismanin.
Me fitoren e dytë radhazi në një disiplinë që u ka takuar vendeve të Bllokut të Varshavës gjatë historisë së Olimpiadave – Bashkimit Sovjetik dhe Rumanisë zakonisht; SHBA-të po dëshmojnë edhe një herë dedikimin që kanë për sportin duke identifikuar talentet qysh në moshën fillestare.
Nga gjimnastika mund të kalojmë tek noti dhe jo tek Michael Phelps në plan të parë. Katie Ledecky si 15 vjeçare në Londër kishte notuar kohën të dytë më të mirë në ‘maratonën’ e pishinave në 800m. Me 19 vjet ajo ka thyer 18 herë rekordin botëror dhe ka fituar 18 medalje në kampionate botërore e olimpiada. Dhe ajo është vetëm një nga emrat e shumtë të skuadrës amerikane të notit. Për Phelps nuk kemi çka të shtojmë.
Ndërkohë nga ngjarjet e ditës së djeshme duhet të përmendim rezultatin total prej 326 kilogramëve të Briken Calja.
Peshëngritësi nga Shqipëria përfundoi garën në pozitën e gjashtë me 13 kilogramë larg të bronztës. Kështu me shpresën e fundit për medalje, shteti i Shqipërisë përkrah Andorrës, Bosnjës, Maltës, e Monakos mbetet në mesin e vendeve evropiane pa medalje në Olimpiada.
Dje nisën edhe garat në rugby7 për meshkuj. Japonia befasoi Zelandën e Re, por nuk ia doli të konvertoj pikën shtesë kundër Britanisë për të mbyllur me befasi tjetër ditën e parë preliminare. Vaterpolo e femrave nisi pa befasi, ndërkohë në volejboll tek meshkujt Italia dhe SHBA-të luajtën një lojë të bukur.
Fitorja e thellë e Francës ndaj Katarit në reprizën e finales së Botërorit ishte goxha e befasishme, ngjashëm si ajo e Egjiptit ndaj Suedisë. Gjermanet humbën në futboll nga Kanadaja, SHBA-të mbetën vetëm baras me Kolumbinë.
Pas humbjes nga Brazili, Spanja rrezikon çerekfinalet të cilat edhe po t’i arrin mund të ndeshet me SHBA-të. Kroacia humbi befasishëm ndaj Argjentinës. Te femrat Australia po tregon muskuj duke mposhtur edhe Francën.
Sot pos finaleve në kronometër rrugor në çiklizëm dhe lundrimit, zhvillohen finale në peshëngritje, shenjëtari, xhudo, dhe skermë. Derisa të tjerat vijnë në orar të zakonshëm, për shkak të ngarkesave në orar, garat e skermës pritet të përfundojnë pas mesnate. Pas mesnate do të zhvillohen edhe finalet në ping pong për femrat.
Gjatë ditës zhvillohen çerekfinalet në tenis tek femrat dhe në dyshe. Te femrat pa Serenën, lufta për titull mbetet e hapur për talente që zakonisht janë në hije në grand-slam e premier turne. Në not mund të jetë një natë ku Australianët mund të sfidojnë Amerikën, deri diku.
Në garat ekipore, në ragbi takohen Afrika Jugore dhe Australia (16:30), në volejboll të femrave Italia dhe Holanda pesë minuta më vonë, dhe SHBA-të me Serbinë në ora 20:00. Këto dy vende do të përballen edhe në basketboll të femrave që nis 30 minuta më pas. Do të jetë interesante të shohim se çfarë do të mund të bëj Angola kundër Norvegjisë në hendboll të femrave, ku sot ndeshen edhe Rumania me Malin e Zi.
Tek futbolli i meshkujve Gjermania nuk duhet të ketë probleme kundër Fixhit. Kolumbia dhe Nigeria duhet të bëjnë lojë të bukur, ngjajshëm si Danimarka kundër Brazilit. Derbi i ditës në basketboll është ndërmjet Australisë dhe SHBA-ve, dy ekipet që udhëheqin Grupin A. Ndeshja nis në mesnatë.