PEJA - KAMZA

Foto: KBPeja/Korniza/fb
Dardan Berisha shkëlqen, Peja fiton bindshëm
7 November, 2021 @20:39
Kur Dardan Berisha është në formë, Peja është e pandalshme. Basketbollisti më i mirë për vite me radhë në Kosovë edhe njëherë ka treguar cilësitë e tij, ndërsa sonte ka shënuar 28 pikë, 8 asistime e 7 kërcime në fitoren e ekipit të tij ndaj Kamzës në kuadër të Ligës Unike 97-76 [29-21, 18-14, 19-22, 31-19].
Rezistenca e vetme e ardhur nga Kamza ka qenë prej lojtarëve të huaj të ekipit, që mbajtën mirë skuadrën deri në çerekun e fundit, kur Peja shpërtheu tërësisht për të fituar ndeshjen thellë.
Pos Dardanit që luajti me indeks efiçence 29 sonte, te Peja janë dalluar edhe Erdem Ilter që kreu lojën me double-double prej 17 pikëve dhe 10 asistimeve, ndërsa Steph Maxwell ka luajtur me 21 pikë, për 29 minuta sa qëndroi në parket. Ndërsa trajneri Semsettin Bas i dha mundësi edhe të rinjëve të paraqiten në Ligë Unike.
Te Kamza e Eni Llazanit, Gerard Davis ishte më i dalluari me 21 pikë, 7 asistime e 9 kërcime, pamjaftueshëm për të ndalë ekipin nga humbja e parë sezonale në Ligë Unike.
Pas këtij dueli, të dyja skuadrat në Ligë Unike kanë bilans 2-1.