OLIMPIADA DIMËRORE - PYEONGCHANG 2018
Ditari Olimpik nr. 13 – Zeniti
Shkruan: LUAN MORINA
21 February, 2018 @22:45
Ashtu siç paralajmërova dje në ditar, programi i lirë i femrave në patinazh artistik shërbeu që të thyhet rekordi botëror, edhe atë dy herë. Së pari me Evgenia Medvedeva ishte e pagabueshme, pastaj Alina Zagitova ngjiti në një nivel tjetër rivalitetin. E edhe pse e arta do të shkoj në Rusi, Kaetlyn Osmond nuk është pa gjasa për të shfrytëzuar gabimet eventuale të ruseve. Edhe kanadezja ishte e jashtëzakonshme në paraqitjen e saj.
Vajzat kthehen të premten në mëngjes mbi akull, rreth orës 4 nisin patinet më të mira.
Ishte një ditë ‘e turpshme’ për Holandën në patinazh të shpejtë. Edhe pse kanë dominuar garat në distancë, holandezët humbën të dy garat ekipore sot duke marrë një të argjendtë dhe një të bronztë. Nga kampionë të dyfishtë në Sochi, ky rezultat është një zhgënjim për holandezët.
Nga kampionë të dyfishtë në Sochi, jashtë podiumet mbesin femrat, derisa meshkujt nga Kanadaja kanë mundësi të marrin medalje në kurling. Medalje ekipore Kanadaja mund të merr në finalen e femrave në hokej mbi akull që nis nesër herët, në ora 5:10 kur takohen me SHBA-të. SHBA-të janë eliminuar nga konkurrenca e meshkujve qysh në çerekfinale, derisa kanadezët kanë avancuar me fitore minimale 1-0 ndaj Finlandës. Finlanda tek femrat u shpërblye me medaljen e bronztë duke mposhtur Atletet Olimpike nga Rusia me të njëjtin rezultat që Çekia eliminoi SHBA-të tek meshkujt, 3-2.
Garat ekipore pos në patinazh të shpejtë, sot kanë përfunduar edhe në sprint ekipor. Kësaj radhe në program ishte sprinti klasik. Derisa distanca mbetet e njëjtë nëpër Olimpiada, stili i skijimit në kros kountri ndryshon. Për shembull në Sochi para katër viteve gara ekipore në sprint ka qenë në stil të lirë, këtë vit në PyeongChang është në stilin klasik. Kësaj radhe Suedia u befasua në fund nga SHBA-të, ndërsa Norvegjia nuk lejoi për befasi tek meshkujt.
E diela është ditë relativisht e qetë, derisa e premtja dhe e shtuna shërbejnë për të përfunduar shumicën e sporteve. Kjo le të enjten si ditën më të ngarkuar me finale, ditën kur Olimpiada arrin në zenit.
Skijimi alpin të enjten nis në ora 2 në mëngjes me rundin e parë në sllallom të meshkujve, për të vazhduar me lëshimin e kombinuar të femrave në ora 3:30, pastaj rundi i dytë i sllallomit në ora 5:30 dhe sllallomi i kombinuar në ora 7.
Biathloni kthehet në drekë si zakonisht, në ora 12:15 me stafetën 4x6km tek femrat. Në drekë në program janë edhe gjysmëfinalet e meshkujve në kurling. Kanadaja ndeshet me SHBA-të, derisa Suedia pret fituesit nga tie-break ndeshja ndërmjet Zvicrës dhe Britanisë së Madhe që zhvillohet në ora 1:05.
Herët në mëngjes zhvillohet edhe finalja në halfpipe në skijim të lirë për meshkuj. Nis në ora 3:30. Pak më vonë, në ora 5:10 në program është finalja e femrave në hokej mbi akull me përballjen ndërmjet Kanadasë dhe SHBA-ve.
Kombinimi nordik mbyll garat nesër me garën ekipore që nis me kërcimet me ski në ora 8:30, dhe kros-kountrin në ora 11:20. Finalet e fundit të ditës nisin në ora 12:10 me tri finalet në patinazh në shtigje të shkurtra – 500m meshkujt, 1000m femrat, dhe 5000m stafetë e meshkujve për të përfunduar garat në këtë sport.
E finalja e parë është disiplina që debuton në Lojërat Olimpike Dimërore – Big Air në snoubord. Femrat duke nisur në ora 1:30 kanë një mundësi të vetme për të shfaqur aftësitë e tyre gjatë kohës sa janë në ajër duke arritur lartësi edhe mbi 10 metra.
Pas të mërkurës, Norvegjia është ngjitur në 33 medalje, 13 të arta. Gjermania ka një të artë më pak dhe 24 në total. Kanadaja nga 21 medalje, 9 i ka të arta.