OLIMPIADA DIMËRORE - PYEONGCHANG 2018
Ditari Olimpik nr. 15 – Atletët Olimpik të Rusisë
Shkruan: LUAN MORINA
23 February, 2018 @20:33
Bryan Fogel papritmas do të bëhet fitues i Oskar për dokumentarin më të mirë. Për momentin, mundësia më e mirë për të mësuar pse në PyeongChang kemi Atletët Olimpik të Rusisë e jo Rusinë, është të përcillet filmi dokumentar Icarus.
Edhe pse nuk jep krejt detajet që janë përmendur në media, ky dokumentar tregon që për të fituar pikë politike, qeverisja e Putinit ka manipuluar me testet anti-doping si në Sochi para katër viteve, ashtu edhe më parë në gara të mëdha sportive. Për shkak se dopingu ka qenë i ideuar nga organet udhëheqëse të shtetit, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka sanksionuar Rusinë, por ka lejuar rusët të jenë pjesë e Olimpiadës. Edhe atë kuptohet vetëm rusët e pastër.
Nuk kanë munguar pa doping as kësaj radhe rusët, duke dal dy nga katër rastet e gjetura deri tani. Por, pjesa tjetër për momentin dalin të jenë të pastër nga stimuluesit e palejuar.
Në Rio, IAAF kishte suspenduar në tërësi Rusinë nga garat e atletikës, kur federatave sportive u ishte dhënë autonomia të vendosin se çfarë do të bëjnë me Rusinë.
Skandali i dopingut, përkundër dënimeve nga IOC dhe CAS, ka pasur ndikimin. Është përmendur që atletët tjerë kanë qenë më indiferent ndaj atletëve rus, e vet edhe zhveshja nga kombi disi është zhveshja nga identiteti. E arta e parë ka ardhur vetëm sot, në krahasim me 11 të artat që kishin marr në Sochi kur ishin edhe në krye të renditjes.
Ka pasur presion të madh publik për përjashtimin e plotë të atletëve rus. Por, IOC mendoj që ka bërë njërin nga vendimet më të mençura të mundshme duke lejuar atletët të garojnë me kushtet e lartpërmendura – pa flamur e pa himn eventual.
Paramendojeni të privoheshim nga njëri prej duleve më të mëdha në patinazh artistik viteve të fundit. Zagitova dhe Medvedeva kanë ringjallur këtë sport duke e ngritur në nivele edhe më të larta. Rusët në hokej mbi akull kanë siguruar finalen duke mposhtur Çekinë pa ekuipazhin që kanë në NHL, me veteranë si Kovlachuk e Datsyuk i cili ka dal në të 40tat. E sportet tjera kanë nisur gjenerata të reja, dhe të pastra nga dopingu. Së paku për momentin.
Dëmtimi që i ka bërë pushteti rus këtyre gjeneratave që po vijnë është i pashlyeshëm. Do të kaloj kohë deri tek rikthimi i integritetit, por në ndërkohë, privimi nga talentet e pastra është mëkat ndaj sportdashësve dhe vet sportit.
Sportdashësit sot kanë pasur mundësinë të shohin një betejë të shkëlqyeshme ndërmjet Gjermanisë dhe Kanadasë në hokej mbi akull. Gjermanët siguruan finalen e të dielës me Rusinë, duke i rezistuar stuhisë kanadeze në minutat e fundit.
Në kurling koreanet ia dolën të mposhtin japonezet, derisa Zvicra la pa medalje kanadezët tek meshkujt. Biathloni ishte i paqartë deri në qitjen e fundit, e korrektësia sportive më së miri u pa në patinazh të shpejtë ku Mika Poutala i vetëdijshëm që ishte larg medaljeve, nuk pengoi Kjeld Nuis-in në ndërrimin e shtegut, duke mos i mohuar holandezit të artën.
Të shtunën, që në fakt është dita e plotë e fundit e garave, gjithçka nis në ora 3 me garat atraktive ekipore në skijim alpin. Maratona e meshkujve në kros-kountri nis në ora 6, finalja e meshkujve në kurling ndërmjet Suedisë dhe SHBA-ve në ora 7:35, ndeshja për medaljen e bronztë të femrave në ora 12:05 me Britaninë e Madhe e Japoninë.
Garat në Big Air për meshkuj nisin në ora 2, e garat në sllallom të madh paralel për të dy gjinitë në snoubord në ora 5:30 me finalet që nisin gati një orë më vonë. Në hokej mbi akull tek meshkujt, Çekia dhe Kanadaja betejën për të bronztën e nisin në ora 13:10. Garat e fundit të ditës nisin në ora 12 me gjysmëfinalet dhe më pas finalet në start masiv tek të dy gjinitë në patinazh të shpejtë.
Edhe pas të premtes, Norvegjia dhe Gjermania mbesin në vetëm 13 medalje të arta, duke mbetur një të artë pas rekordit të Kanadasë nga Vancouveri më 2010.