OLIMPIADA DIMËRORE - PYEONGCHANG 2018
E arta e parë për rusët
23 February, 2018 @17:35
Atletët Olimpik të Rusisë kanë siguruar të artën e parë në Olimpiadën e PyeongChangut. Dhe kjo i takoi patines 15 vjeçare, Alina Zagitova. Pas rekordit botëror të arritur në programin e shkurtër, Zagitova shfaqi një program të lirë dominues ku me 156.65 pikë ndau kreun me bashkëkombësen e saj Evgenia Medvedeva.
Megjithatë, Medvedeva për shkak të programit të shkurtër, në fund mbeti vetëm në 238.26 pikë, që ishin më pak se nota totale prej 239.57 pikë e Zagitovas. Është hera e dytë që Medvedeva mposhtet tri viteve të fundit në garat në patinazh artistik, pas kampionatit evropian të mbajtur janarin e këtij viti në Moskë. Edhe aty Zagitova kishte përfunduar e para.
Medalja e bronztë i takoi kanadezes Kaetlyn Osmond e cila me 152.15 pikë në program të lirë përmirësoi rekordin personal për rreth 10 pikë. Në total, Osmond pati 231.02 pikë, duke lënë pas japonezen Satoko Miyahara me 222.38 pikë.