SPORTE OLIMPIKE
Abetare Olimpike: Patinazh artistik
Shkruan: LUAN MORINA
11 February, 2018 @10:00
Programi i shkurtër dhe i lirë, dy paraqitje të mahnitshme nevojiten për të marr të artën olimpike në patinazh artistik.
Zonjushat, zotërinjtë, çiftet, dhe valltarët – janë katër disiplina, pa përjashtuar kategorinë ekipore që përfshin një garë të veçantë që kombinon këto disiplina për të artën totale.
Programi i shkurtër zgjat maksimum dy minuta e pesëdhjetë sekonda. Programi i lirë për femrat zgjat ndërmjet 3:50 e 4:10. Meshkujt dhe çiftet ndërmjet 4:20 e 4:40. Valltarët ndërmjet 2:40 e 3 minuta.
Për herë të parë në PyeongChang në garat e çifteve, femrave, e meshkujve do të lejohet muzika me vokal. Kjo është përdorur në garat tjera që nga sezoni 2014-2015. Ndërkohë valltarët janë të detyruar të përdorin ritëm Rhumba në programin e shkurtër, dhe cilindo nga vallëzimet latino-amerikane si: samba, mambo, meringue, salsa, bachata, e të ngjashme. Kjo nuk vlen për programin e lirë.
Notimi është më i komplikuar viteve të fundit se sa 6.0-shja e famshme.
Janë dy pjesë të programit – pjesa teknike dhe pjesa përmbajtësore.
Në pjesën teknike notohet vështirësia e elementeve që kanë ekzekutuar gjatë shfaqjes së tyre, përfshirë kërcimet dhe rrotullimet. Ndërkohë pjesa përmbajtësore përfshin pjesën artistike, interpretimin, dhe prezantimin total. Të dyja kombinohen për të dhënë rezultatin final.
Jemi ndoshta ndër gjeneratat më me fat që për momentin kemi aktiv rekordmenët e programeve në të katër kategoritë. Rusja Evgenia Medvedeva ka rekordin botëror tek femrat me 241.31 pikë në total (80.85 programi i shkurtër, 160.46 programi i lirë).
Edhe tek meshkujt Yuzuru Hanyu nga Japonia zotëron të tri rekordet, por në ngjarje të ndryshme (330.43/223.20/112.72).
Në vallëzim Gabriella Papadakis e Guillaume Cizeron kanë totalin 202.16 dhe programin e lirë me 120.58; ndërsa kanadezët Tessa Virtue dhe Scott Moir programin e shkurtër me 82.68 pikë.
Tek çiftet, Tatiana Voloszhar e Maksim Trankov kanë totalin 237.71 dhe të shkurtrin me 84.17, derisa Aliona Savchenko e Bruno Massot të lirin 157.25.
Nëntë nga këto 12 rekorde janë arritur në vitin 2017.
Tek meshkujt, Yuzuru Hanyu mbron titullin olimpik, porse sezonin e fundit është mposhtur nga spanjolli Javier Fernandez i cili ka fituar dy kampionate botërore dhe gjashtë evropianët e fundit. Amerikani Nathan Chen i cili ka mposhtur Hanyun gjithashtu këtë sezon, konsiderohet të jetë në mesin e favoritëve gjithashtu.
Tek femrat, Adelina Sotnikova kishte mposhtur Kim Yuna nga Korea Jugore. Sotnikova nuk është aktive që nga atëherë, porse Evgenia Medvedeva ka dominuar kategorinë e femrave viteve të fundit duke vazhduar titullin e juniores si kampione botërore edhe në dy vitet e kaluara. Pas dy fitoreve resht, është mposhtur këtë vit në Evropianin në Moskë, nga Alina Zagitova. Rusja 15 vjeçare konsiderohet si rivalja më e madhe ndaj bashkëkombëses së saj vetëm 3 vite më të vjetër. Carolina Kostner, e japonezet Miyahara, Mihara, e Sakamoto konsiderohen si favorite, bashkë me kanadezen Kaetlyn Osmond.
Kampionët olimpik në çifte, Voloszhar e Trankov kanë pauzuar për shkak të shtatzënisë. Porse nënkampionët nga Sochi, Stolbova e Klimov shpresojnë të shfrytëzojnë mungesën e tyre. Ata kanë përfunduar të dytët në Evropian ku dominuar rusët me Tarasova e Morozov si kampionë. Savchenko e Massot duhet të jenë në mesin e favoritëve, bashkë me Wenjing e Cong, gjithashtu.
E gara e vallëzimit pritet të jetë më e baraspeshuara. Tessa Virtue e Scott Moir presin të artën pas të argjendtës në Sochi, por për të cilën duhet të luftojnë Papadakis/Cizeron. I tërë sezoni ka shkuar në një duel ndërmjet këtyre dy çifteve me Maia e Alex Shibutani që kanë prishur këtë dyluftim kohë pas kohe. Amerikanët nuk janë për tu përjashtuar nga gara për të artën.
Si çdo Olimpiadë, edhe kësaj radhe patinazhi artistik do të ofroj atë që ofrojnë pak sporte – një kombinim të artit dhe fizikës.