TOKYO 2020 — BOKS
Dubois mposht Donjeta Sadikun në debutim
27 July, 2021 @6:52
Boksierja kosovare Donjeta Sadiku në rrethin e parë të kategorisë së lehtë të vajzave në boks, është mposhtur nga britanikja Caroline Dubois, për tu eliminuar që në ndeshjen e parë nga Lojërat Olimpike Tokio 2020.
Kujtojmë, Sadiku shkoi në Tokio 2020 me ftesë speciale, ndërsa Dubois ka qenë favorite e madhe në këtë duel.
Pas raundit të parë tejet të mirë për britaniken, Donjeta 22-vjeçe provoi në raundin e dytë dhe të tretë të kthehet në lojë.
Për të dyja boksieret në ring, kjo Olimpiadë ka qenë debutim, ndërsa niveli i përgatitjes së britanikes dukej qartë - nivel krejt tjetër.
Mirëpo, britanikja taktikisht më mirë e përgatitur, duke shfrytëzuar gabimet fitoi secilin raund me vendim unanim të gjyqtarëve për të marrë rezultatin final 5-0 në fund dhe për të siguruar një vend në 16-shen më të mirë të vajzave në Tokio 2020 në kategorinë prej 57-60 kilogramë.
Britanikja 20-vjeçare në fund, pas fitores shkoi për të përshëndetur ekipin e Kosovës qysh e do zakoni në Olimpiadë, ndërsa stafi i papërgatitur i trajnerëve i dhanë ujë asaj, duke kujtuar që ka shkuar të kërkojë ujë në çoshen e Kosovës.
Në rrethin e radhës Dubois do të takohet me amerikanin Rashida Ellis.
“Boksierja kreu luftë të hapur ndaj një kundërshtareje jo të lehtë, ndërsa me vendim unanim britanikja fitoi në të gjitha raundet,” është thënë shkurt në komentin për fitoren e Dubois ndaj Sadikut.
Dubois në anën tjetër para ndeshjes ka qenë e qartë për gjithçka çka kërkonte, derisa nga Sadiku nuk kishte as edhe një deklaratë.
“Unë po mendoj të mposht Donjeta Sadikun në duelin e parë. Ky është fokusi im i vetëm, pasi dua të fitojë medaljen e artë këtu,” kishte thënë britanikja 20-vjeçare para debutimti të saj në Tokio 2020.