TOKYO 2020 — XHUDO
Pensionohet Mbretëresha Majlindë
26 July, 2021 @14:25
Kampionja e parë Olimpike e Kosovës, Majlinda Kelmendi, i ka dhënë fund karrierës së saj aktive në xhudo.
Njoftimin e ka bërë të ditur sot KTV në një bisedë me Kelmendin, që ka bërë të ditur për vendimin e saj.
Majlinda Kelmendi ka fituar të artën e parë për Kosovën në Olimpiadën Rio2016, në pjesëmarrje të parë të Kosovës në një Olimpiadë.
“Kam qenë në dyshime të vazhdoj këtë vit apo të largohem, por për hatër të Tonit kam vazhduar deri në Olimpiadë,” ka thënë fillimisht ajo.
“Nuk e kam pritur të përfundojë kështu, por kështu paska qenë e shkruar, i kam sjellë Kosovës mjaft emocione, lot, e tash është radha e të tjerëve. Do të jem afër Tonit me u mundu me nxjerrë talentë tjerë nga Kosova,” ka shtuar ndër të tjera 30-vjeçarja pejane.
Majlinda Kelmendi ka garuar në tri Olimpada. Pasi që Kosova nuk ishte e pranuar, në Londër 2012 u paraqit me flamurin e Shqipërisë, ndërsa në Rio 2016 bëri historinë për Kosovën dhe tash në Tokio 2020, ku u eliminua në rrethin e parë.
Dy herë kampionja e botës, një herë e bronztë në botë, katër herë kampione e Evropës dhe një e bronztë - janë medaljet tjera që i ka sjellë Majlinda, pa numëruar triumfet e shumta në Grand Slam, Grand Prix dhe një Masters.