TREPÇA - BASHKIMI

E pesta rresht për Trepçën, Sterle debuton me humbje
7 March, 2021 @18:32
Skuadra e Trepçës ka vazhduar me serinë e fitore duke triumfuar për herë të pestë rresht në Superligë.
Viktima e radhës për xehetarët ishte skuadra e Bashkimit, e cila në këtë ndeshje u paraqit me trajnerin e sapo emëruar, Franko Sterle.
Ndeshja filloi me katër pikët e para të Bashkimit, ndërsa më pas pasoi seria prej 14-0 e Trepçës, e cila nga ai moment e mori kontrollin e lojës në dorë.
Prizrenasit e shkrinë disavantazhin deri në maksimum kur me trepikëshin e Christian Lutete e mbyllën pjesën e parë me rezultat 43-42, por energjia për ta marrë epërsinë mbi vete u mungoi.
Ekipi i trajnerit Serhat Sehit vazhdoi të mbajë epërsinë edhe në çerekun e tretë, ndërsa shpërthimin në rezultat e arriti në fillim të çerekut të fundit me seri magjike prej 16-0, për të sigurar fitore të qetë dhe të merituar me rezultatin përfundimtar 88-72.
Ivan Koljevic ishte koshashënuesi më i mirë te fituesit me 24 pikë, i cili ishte i ndihmuar nga Besnik Azemi (17), Drilon Hajrizi (16) dhe Dillon Smith (16) të cilët po ashtu patën pikë dyshifrore te xehetarët.
Te Bashkimi më i dalluari ishte Christian Lutete me 28 pikë dhe 9 kërcime, kurse qendra Obinna Oleka u dallua me kërcime duke kapur 24 topa nën kosh.
Me këtë fitore tani Trepça është afruar edhe më tej pozitës së pestë të cilën vazhdon ta mbajë Bashkimi. Mitrovicasit kanë 9 fitore, një më pak se prizrenasit.