Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FITORJA E DYTË RADHAZI!

Edhe një fitore, Ferizaji del nga zona e rrezikshme

Foto: FCFerizaji/fb

Edhe një fitore, Ferizaji del nga zona e rrezikshme


18 October, 2024 @15:34

Ka përfunduar cikli i parë i ndeshjeve të Superligës për Gjilanin e Ferizajin, ndërsa këta të fundit me fitoren e parë si mysafir këtë stinor kanë arritur që të dalin nga zona e rrezikshme e elitës së futbollit të Kosovës.

Fitorja e dytë me radhë për Ferizajin, për të parën herë këtë stinor, ka ardhur pasi që ekipi i drejtuar nga Arsim Abazi me një lojë të mirë dhe mjaft kërkuese në pjesë të parë ka arritur të shënojë dy herë për të siguruar fitoren.

Gjilani vs Ferizaji

Edhe pse ekipi i Ferizajit kishte mundësi për të thelluar avantazhin në pjesë të dytë, pasi që Gjilani u hapë plotësisht, bardhekaltërit mysafir nuk e arritën këtë dhe rrezikuan paksa fitoren deri në fund, por pas fishkëllimës së fundit të gjyqtarit Dardan Çaka, ata festuan përfundimisht. Gjilani - Ferizaji 1-2 [Senad Jarovic 72’- Edon Sadriu 14’, Abdeen Abdul 44’].

Kapiteni Edon Sadriu shënoi golin e parë të ndeshjes, pas një depërtimi në zonë, kur pranoi topin nga Çlirim Avdulli, ndërsa pak para fundit të pjesës së parë nga asistuesi i njëjtë, shënoi Abdeen Abdul. Ky i fundit kishte edhe dy raste të mira në pjesë të dytë, por s’qëlloi portën e Kenan Haxhihamzës. Në pjesë të dytë një gol i Ferizajit u anulua edhe nga VAR, pasi që u vendos për faul në sulm (52’).

TABELA AKTUALE

Deri në fund, iniciativa e madhe e Gjilanit për të barazuar nuk doli plotësisht, pasi që ekipi i Ardian Nuhiut edhe pse dha golin me Senad Jarovicin, për të ulë avantazhin dhe për të shtuar shpresat për barazim - në fund u pajtua me humbje.

Gjilani në këtë ndeshje mbeti me 9 lojtarë në fund, pasi që nga minuta e 85-të e ndeshjes mbeti pa Jamal Aragon që mori kartonin e dytë të verdhë, kurse krejt në fund, Besir Ramadani duke ndalë si lojtar i fundit Erjon Sadriun e vetmuar, mori karton tjetër të kuq!

Gjilani vs Ferizaji

Hyrja e Albin Prapashticës në lojë lëvizi paksa sulmin dhe aksionet e Gjilanit, ndërsa Ergys Kaçe kontrollonte mesfushën, por nga këto, dy raste të mira që kishin, njërën Jarovic (e mbrojti Petrit Tahiri) (76’), e tjetrën Prapashtica (e devijoi jashtë mbrojtja) (63’), nuk depërtuan për në rrjetë.

Fitorja, bën që Ferizaji pas 9 ndeshjesh të zhvilluara që mbyllë ciklin e parë të ndeshjeve të Superligës nga katër sa luhen deri në fund të stinorit, të jetë në pozitë të shtatë me 10 pikë të tubuara. Në anën tjetër Gjilani bie në pozitë të tetë (zona e playoutit) duke mbetur me 9 pikë!


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga