SUPER FORMA SI VENDAS - VAZHDON!

Futbollistët e Ferizajit duke festuar njërin nga golat e sotëm në fitore ndaj Dritës/ Foto; FCFerizaji/ fb
Shkëlqimi i Ferizajit si vendas, nuk njeh as lideren!
28 April, 2025 @20:22
Drita po shpreson në titull kampioni kur kanë mbetur edhe pesë xhiro deri në fund të stinorit. Por, sot pësoi humbjen e dytë në kampionat në katër ndeshjet e fundit. Drita vazhdon të ketë 9 pikë më shumë sesa Ballkani ndjekës. Ndërkaq, sot Ferizaji që është në formë të shkëlqyer si vendas ka arritur fitoren e tetë me radhë në shtëpi dhe ka mposhtur Dritën me një lojë të mirë në pjesë të dytë.
Së pari Antonio Ilieski i dha epërsinë, ndërsa posa pranuan golin që në sulmin tjetër Fatjon Jusufi siguroi fitoren. Ferizaji - Drita 2-1 [Antonio Ilieski 47’, Fatjon Jusufi 82’—Veton Tusha 81’].
Drita tha fjalën kryesore në pjesë të parë. Por, asnjëri nga tentimet nuk arriti të gjejë rrjetën. Njëjtë edhe pas pranimit të golit, veçanërisht të dytit. Rastet ishin aty, por goli s’erdhi - dhe kjo në fund u kushtoi me humbje.
Në anën tjetër, Ferizaji i drejtuar nga Arsim Abazi tash është i katërti në renditje ku pas 31 xhirosh ka 45 pikë, dy më pak se Malisheva në pozitë të tretë që është në pozitë që dërgon në gara evropiane. Ferizaji detyrimisht do ta synojë këtë mundësi siç po duket.
Drita në anën tjetër, lidere mbetet me 66 pikë pas 31 ndeshjesh. Dhe me nëntë pikë më shumë se Ballkani ndjekës, duket shumë afër titullit kampion.