PA FITUES NË "ZAHIR PAJAZITI"

Foto: FCPrishtina/ fb
Barazuesit, barazojnë!
28 April, 2025 @20:37
Dueli i fundit i xhiros XXXI të Superligës, ku Llapi priti Prishtinën në “Zahir Pajaziti” ka përfunduar me barazim, duke qenë se mysafirët si liderë të barazimeve në Superligë, përsëri e kanë arritur atë. Për më shumë, Llapi (10) është bërë tash ekipi i dytë pas Prishtinës (13) me më së shumti barazime në Superligë.
Llapi mori epërsinë në pjesë të parë, nga një rast që u shikua nga VAR, ndërsa u vërtetua fauli i Ardian Limanit. Ardit Tahiri në formë, nuk pati problem nga pika e bardhë duke goditur shpejt, për epërsi.
Raste për të bërë më shumë kishin të dyja palët, por s’arritën. Si Llapi ashtu edhe Prishtina rrezikuan portat, por pa sukses, derisa një top që u tentua të largohej nga zona prej mbrojtjes së Llapit përfundoi në këmbët e qendërsulmuesit prishtinas, Leotrim Kryeziu.
Ky i fundit rregulloi topin dhe shutoi me gjithë fuqinë për të barazuar rezultatin, që në fund doli të jetë edhe rezultati përfundimtar i ndeshjes, Llapi - Prishtina 1-1 [Ardit Tahiri 18’pen.—Leotrim Kryeziu 70’]. Pos që shtuan numrin e barazimeve, skuadrat mbetën edhe në pikë të njëjta, ndërsa vetëm goldallimi i bën që Prishtina të përfundojë xhiron në pozitë të gjashtë me 40 pikë pas 31 xhirosh, e Llapi në në pozitë të shtatë, me pikë e ndeshje të njëjta.