RRESHTOHEN FITORET PËR MBIJETESË

E treta radhazi, MH Prishtina pranë shpëtimit të stinorit
24 February, 2023 @23:34
Tre fitore në tre ndeshjet e fundit, ndërsa MH Prishtina e drejtuar nga Dritëro Sefaja është shumë afër shpëtimit të stinorit pasi që është afruar të dalë nga zona e PlayOutit dhe e rënies.
MH Prishtina ka mposhtur në cilësi të mysafirit ekipin vecse të rënë nga liga, AS Prishtinën, me rezultat 72-88. Eris Zeneli me 30 pikë e 14 kërcime ka qenë më meritori në fitoren e MH Prishtinës, ndërsa Lum Zeqiri me 15 pikë, 11 kërcime, 6 asistime dhe 5 topa të rrëmbyer ka dominuar ndeshjen në fitoren jetike të ekipit të tij.
Te ekipi i AS Prishtinës, që sot u drejtua nga V. Rrahmani, Dardan Sejdiu dha 30 pikë e 18 kërcime, ndërsa Leondre Washington bëri 22 pikë, në ndeshjen e tyre të radhës, pasi që vecse janë përshëndetur nga kjo ligë.
MH Prishtina me fitore është e nënta në renditje pas XXX xhirosh e 27 ndeshjesh të zhvilluara, me bilanc 9-18, ndërsa AS Prishtina e çregjistruar nga liga, pas 28 ndeshjesh ka bilanc 2-26.