Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PARA DUELIT, FOKUSI NË ASPEKT TAKTIK

Aspekti taktik i ndeshjes, puna kryesore e Fodës

Foto: FFK

Aspekti taktik i ndeshjes, puna kryesore e Fodës


5 September, 2024 @10:40

Kosova nesër mbrëma në “Fadil Vokrri” do të hap edicionin e ri të Ligës së Kombeve 2024/25, ndërsa është nikoqire e ekipit më të fortë në grup, Rumanisë. Rumania ka qenë pjesëmarrëse e EURO 2024 dhe ka arritur të dalë nga grupet, duke shkuar në të tetën e finales së evropianit.

E njëjta Rumani, ka qenë në grup me Kosovën edhe gjatë kualifikimeve për EURO 2024, ndërsa në Prishtinë, në stadiumin e vështirë për tu luajtur për shkak të gjendjes së mjerueshme që kishte, Kosova kishte barazuar 0-0. Në Rumani, Kosova pësoi 0-2, në përballjen ku mbeti me 10 lojtarë pasi që Vedat Muriqi mori karton të kuq.

Dallimi i vetëm i Rumanisë prej asaj kohe, është selektori. Edi Iordanescu dha dorëheqje pas EUROs, ndërsa vendin e tij e mori Mircea Lucescu me shumë përvojë.

I kthehemi Kosovës. Franco Foda kësaj radhe ka të gjithë pjesën ofanzive të ekipit në formë. Prej Vedat Muriqit që i shënoi Real Madridit, te Milot Rashica e Edon Zhegrova që erdhi në grumbullim pasi që i shënoi PSG-së. Edhe emrat e rinj, veçanërisht Elvis Rexhbeçaj duket të jenë në formë.

TABELA AKTUALE & REZULTATET

Gjermani Foda kryesisht u fokusua në aspektin taktik të ndeshjes, duke kërkuar që lojtarët të zbatojnë detyrat e dhëna, pasi që ka analizuar mirë kundërshtarin. Të njëjtën e ka thënë edhe FFK-ja në njoftim.

“Në këtë seancë, përzgjedhësi Franco Foda ka vendosur fokusin kryesor në aspektin taktik, duke synuar zbatimin e ideve të tij në fushë nga ekipi për këtë përballje të rëndësishme. Futbollistët kanë punuar me përkushtim dhe seriozitet të lartë, ndërsa pritjet janë të larta për një performancë të suksesshme.”

Të njëjtën e ka theksuar edhe krahu i Kosovës, Florent Hadërgjonaj.

“Kemi pasur stërvitje të mira, sidomos taktikisht. Shpresoj se jemi përgatitur mirë. Kemi marrë informata prej trajnerit dhe stafit të tij. Jemi përgatitur deri në maksimum. E dimë se çfarë na pret dhe normalisht se do të shkojmë për fitore.”

Rumania, si kundërshtar kryesor në Grupin 2 të Ligës C të Kombeve, shihet si rival që duhet mposhtur medoemos së paku në Prishtinë. Kosova ka dy ndeshje në shtator, pas pritjes që i bën Rumanisë më 6 shtator udhëton në Qipro më 9 shtator ku luan ndaj Qipros. Në grup është edhe Lituania, që luajti playoff për të mos rënë në Ligën D.

“Dardanët” presin atmosferë të zjarrtë në “Fadil Vokrri” nesër mbrëma. FFK ka bërë të ditur se të gjitha biletat për këtë ndeshje janë shitur tre ditë më parë. Pritet të jenë 12 mijë e 500 shikues në tribuna për përkrahje frenetike. Ndërsa futbollistët në fushë, betejën e parë me plotë entuziazëm dhe dëshirë për fitore, në duelin që nis në ora 20:45. Stërvitjen e fundit para ndeshjes me rumunët, Dardanët do ta zhvillojnë, të enjten, në orën 17:30, derisa paraprakisht në orën 17:00 do të mbahet konferenca për media.


 
Të gjitha lajmet nga Liga e Kombeve