EDON MAXHUNI
Edon Maxhuni startues, Pärno e nis me fitore
11 October, 2020 @10:56
Me fitore ka nisur sezoni i ri i skuadrës estoneze Pärnu, skuadër në të cilën luan Edon Maxhuni.
Kjo skuadër garon në ligën e përbashkët të Letonisë dhe Estonisë, ndërkohë që sezonin e hapi si mysafire e skuadrës TAL TECH, të cilën e mposhti 65-69.
Në ndeshjen e parë të sezonit me skuadrën e tij të re, Edoni ishte startues dhe luajti për rreth 26 minuta, gjatë të cilave realizoi 9 pikë, 5 kërcime dhe 4 asistime.
Ditë më parë, për webfaqen zyrtare të federatës finlandeze të basketbollit (basket.fi), Maxhuni tregoi që është i lumtur për rolin që do ta ketë në skuadrën estoneze si dhe beson që skuadra mund ta përmbyllë me sukses këtë sezon.
Përveç ligës së përbashkët estoneze-letoneze, skuadra e Pärnos në dhjetor gjithashtu do të marrë pjesë në Final Four të Kupës së Estonisë.
Kujtojmë që fundori Maxhuni para se të kalonte në Estoni, kishte luajtur te skuadra e Gran Canarias në Spanjë dhe para saj në kolegjin Long Beach State në NCAA të SHBA-ve, ndërkohë që vazhdon të jetë pjesë e përfaqësueses seniore të Finlandës në basketboll.
Ndeshjen e dytë skuadra ku aktivizohet Maxhuni e luan më 14 tetor ndaj skuadrës Tartu Ulikool.