KOMITETI OLIMPIK
Kategorizohen Federatat dhe sportistët
Teksti: KOK
31 January, 2019 @15:57
Komiteti Olimpik i Kosovës ka publikuar rezultatet e dala nga kategorizimi i sporteve, sportistëve dhe trajnerëve për vitin 2019, bazuar në Rregulloren Nr. 04/2018 për Kategorizimin e Sporteve dhe
Rregulloren Nr.05/2018 për Kategorizimin e Sportistëve dhe Trajnerëve, të nxjerra nga Ministria për Kulturë, Rini e Sport.
Pas dy javësh shqyrtimi të dokumentacioneve të të gjitha federatave, komisioni për kategorizimin e sporteve, sportistëve dhe trajnerëve, ka kategorizuar 29 federata, ndërsa dy të tjera mbetën jashtë kategorizimit.
Sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj, njëherit kryetar i komisionit për kategorizimin e sporteve, sportistëve dhe trajnerëve, theksoi se gjatë vitit të kaluar është bërë plotësim ndryshimi i rregullores dhe rregullorja e re, e cila është më e lehtë dhe më e qartë në vlerësimin e kritereve.
Sipas Haxhijajt, badmintoni nuk u kategorizua shkaku i themelimit të vonshëm dhe mos licencimit nga MKRS, ndërsa minigolfi për shkak të numrit të vogël të sportistëve dhe mos zhvillimit të garave gjatë vitit 2018.
Në bazë të rezultateve, në kategorinë A ndodhen: Xhudo, karate, futbolli, basketbolli, hendbolli dhe volejbolli, ndërsa në kategorinë B janë: atletika, noti, sporti sporti shkollorë, skitaria dhe pingpongu.
13 federata përbëjnë kategorinë C si: tenisi, mundja, boksi, taekwondo, gjimnastika, shahu, shenjëtaria sportive, shigjetaria, bodybuildingu, çiklizmi, peshëngritja, boulingu, aeronautika dhe autosportet. Në kategorinë e fundit, D janë: Sporti Universitar, kickboxi, bjeshkataria dhe Federata Sportive e Punëtorëve.
Në kategorizimin e sportistëve kanë hyrë 15 sportistë, prej tyre tetë nga xhudoja dhe pesë nga karate, derisa prinë kampionia Olimpike Majlinda Kelmendi me 100 pikë. Trajneri i xhudos, Driton Kuka i prinë listës së trajnerëve me 177.50 pikë, i pasuar nga Shqipe Zogiani (karate) me 55 pikë.
Ky është viti i dytë që KOK bënë kategorizimin e sporteve, sportistëve dhe trajnerëve. KOK i dërgon rekomandimin me rezultate Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport, e cila bazuar në vlerësimin e pikëve dhe kategorive do të caktojë shumën për financim të federatave, sportistëve dhe trajnerëve.
Kategorizimi i sportistëve dhe trajnerëve:
KATEGORIZIMI I SPORTISTËVE: XHUDO Majlinda Kelmendi 100 pikë Nora Gjakova 60 pikë Distria Krasniqi 50 Loriana Kuka 45 Akil Gjakova 45 Shpat Zeka 25 Erza Muminoviq 20 Laura Fazliu 10 KARATE Herolind Nishevci 60 pikë Adelina Rama 20 pikë Fortesa Orana 20 Orges Arifi 10 Blodin Pakashtica 10 ATLETIKË Musa Hajdari 15 pikë BOKS Donjeta Sadiku 12.5 pikë |
KATEGORIZIMI I TRAJNERËVE Driton Kuka (xhudo) 177.50 pikë Shqipe Zogiani (karate) 50 pikë Nazmi Gashi (karate) 10 Zijadin Kryeziu (atletikë) 7.5 Besim Brahimi (boks) 6.25 |