Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PROPOZICIONET E STNIORIT

Klubet do të paguajnë shtrenjtë për ndërrim të shpeshtë të të huajve!

Fotot: KBTrepça/KBBashkimi/fb

Klubet do të paguajnë shtrenjtë për ndërrim të shpeshtë të të huajve!


18 October, 2022 @14:50

Shpeshherë kur ndonjëri nga lojtarët e huaj për 2-3 ndeshje nuk e tregon veten në Superligë të Kosovës zakonisht, mbushen komentet që thonë “këtij lojtari blejani biletën e kthimit” që aludojnë në ndërrim të huajve, gjë që në ekipet elite të basketbollit kosovar mund të shkojë deri në dhjetë për një stinor (nëse shikojmë sezonet e kaluara).

Zakonisht avazi i skuadrave që bëjnë gati ekipin për fillim të stinorit, kur afrohet Final 8 i Kupës së Kosovës bëjnë ndryshime me synim trofeun, ndërsa pas kësaj edhe në një aventurë ndërrimesh nis para se të ndalohen transferet në përgjithësi kur vjen pjesa e fundit e stinorit të rregullt dhe nis rrugëtimi për PlayOff.

E tash e tutje, klubet do të paguajnë shtrenjtë për ndërrim të shpeshtë të të huajve!

5 mijë euro për të huajin e shtatë!

Deri këtë stinor, klubet e Superligës kryesisht kanë bërë eksperimente me lojtarë të huajë sa herë kanë dashur gjatë stinorit, duke paguar zakonisht një shumë 3-500 euro (varësisht nga stinori dhe afati), ndërsa numri i të huajve në ekip prej fillimit të stinorit deri në fund të tij ka ditur të shkojë edhe deri rreth 10 sosh!

Mirëpo, FBK-ja ka dhënë një propozim në fillim të stinorit që është pranuar nga shumica e Superligës dhe e kanë futur në Propozicion të Garave këtë Nen. Kështu, nga ky stinor skuadrat e Superligës do të mund të regjistrojnë deri në gjashtë lojtarë të huajë të ri në Superligë me shumën prej 500-eurove (për një lojtar të huaj regjistrimi kushton 500 euro) përgjatë pjesës më të madhe të stinorit, saktësisht deri 72-orë para fillimit të xhiros së XXII të Superligës!

Clevon Brown

E ekipet e Superligës tash e tutje do të duhet të maten mirë për regjistrimin e të huajit të shtatë këtë stinor. Kjo, pasi që Neni 11 i PG-së së FBK-së për stinorin 2022/23 Regjistrimi i lojtarëve/eve dhe e drejta për të luajtur në Paragrafin 11.13 të PG-së thotë si mëposhtë:

“11.13.1 Ekipet e Superligës së Meshkujve do të paguajnë shumën prej 500,00€ për gjashtë lojtarët e parë të huaj të regjistruar; shumën prej 5.000,00€ për lojtarin e shtatë dhe të tetë të huaj të regjistruar; shumën prej 10.000,00€ për lojtarin e nëntë dhe të dhjetë të huaj të regjistruar; dhe shumën prej 20.000,00€ për të gjithë lojtarët e huaj të regjistruar shtesë përtej kësaj shifre.”

Ky Nen është përshtatur edhe për Superligën e femrave, por me çmime pak më të ulëta sesa për Superligën e meshkujve.

“11.13.2 Ekipet e Superligës së Femrave do të paguajnë shumën prej 250,00€ për pesë lojtaret e para të huaja të regjistruara; shumën prej 1.000,00€ për lojtaren e gjashtë dhe të shtatë të regjistruar; shumën prej 2.000,00€ për lojtaren e tetë dhe të nëntë të regjistruar; dhe shumën prej 10.000,0€ për të gjitha lojtaret shtesë të regjistruara përtej kësaj shifre.”

Kujtojmë, këtë stinor [2022/23] ekipet e Superligës kanë të drejtë të kenë në listë të lojtarëve pesë lojtarë të huaj në ekip, ndërsa në lojë gjatë secilit çerek mund të kenë në lojë nga tre lojtarë të huaj dhe dy të tjerë që mund të zëvendësojnë ndonjërin nga treshja në lojë.

Në rast se i katërti futet rastësisht në lojë, ekipi do të penalizohet me gabim teknik për trajnerin e skuadrës që ka shkelur paragrafin 11.10.

Prentiss Nixon

Vetëm një ose dy ekipe të Superligës tashmë do të kenë mundësinë e bërjes së ndërrimit të lojtarit të shtatë e më shumë në Superligë, për shkak të shumës së madhe të regjistrimit. Pasi që në rast të regjistrimit të lojtarit të shtatë të huaj këtë stinor shuma është 5 mijë euro!

Në anën tjetër duhet cekur se ky rregull do të bëj që ekipet të mos eksperimentojnë shumë me të huajt gjatë stinorit, por të mendojnë mirë para se të sjellin cilindo. Gjithashtu ata do të mund marrin lojtarët që kanë qenë të regjistruar në FBK dhe nuk janë regjistruar në ndonjë Federatë tjetër, rasti i fundit rikthimi i Dajuan Graf te Bashkimi!

Kryesisht të gjitha ekipet kanë nga katër të huaj të regjistruar këtë stinor, ndërsa disa kanë aplikuar edhe të pestin e të gjashtin. E tash e tutje, deri në fund të stinorit mbetet të shihet se si do t’ia bëjnë për të arritur - te trofeu që thuajse të gjithë e kërkojnë. 

Tate & Adway @ Peja celebration

“11.8 Ekipet e Superligës së Meshkujve kanë të drejtë të mbajnë në regjistrin e lojtarëve të huaj deri në gjashtë lojtarë të huaj, ndërsa në listën paraqitëse (MAP) të ndeshjes në secilën ndeshje duhet të paraqesin me më se paku:
11.8.1 Pesë lojtarë vendorë nëse ekipi ka 10 lojtarë në listën paraqitëse, prej tyre dy të lindur nga 2003 e më të rinj;
11.8.2 Gjashtë lojtarë vendorë nëse ekipi ka 11 lojtarë në listën paraqitëse (MAP), prej tyre dy të lindur nga 2003 ose më të rinj;
11.8.3 Shtatë lojtarë vendorë nëse ekipi ka 12 lojtarë në listën paraqitës (MAP), prej tyre dy të lindur nga 2003 ose më të rinj.
11.9 Në rast se ekipi i Superligës së Meshkujve ka të regjistruar më shumë se pesë lojtarë të huaj në regjistrin e lojtarëve, i njëjti obligohet që ta njoftojë Komesarin e Garave me shkrim mbi pesë lojtarët të cilët do të paraqiten në ndeshjen e radhës jo më vonë se 24h para fillimit të ndeshjes. Në rast se ekipi dështon të paraqesë këtë njoftim me shkrim brenda afatit të përcaktuar në këtë paragraf, ekipi do të paraqitet në ndeshjen e radhës me listën paraqitëse nga ndeshja paraprake dhe nuk do të ketë të drejtën e ndryshimit të lojtarëve të huaj.”

Në vazhdim të stinorit do të shohim se a do të “guxojë” ndonjë ekip të shkojë te i huaji i shtatë i regjistruar dhe si do të performojnë skuadrat me lojtarët që kanë në dispozicion që tash.

Franko Sterle

Edhe për trajnerë të huaj paguhet shtrenjtë

Por, ajo që është interesante këtë stinor është fakti se edhe trajnerët e huaj do të jenë të “limituar” në ndërrim këtë stinor. Kjo pasi që në pikën 13.9 të PG-së thuhet:

“13.9.1 Licenca për trajnerin e parë të huaj të regjistruar gjatë stinorit do të kushtojë 500,00€ (pesëqind euro);
13.9.2 Licenca për trajnerin e dytë të huaj të regjistruar gjatë stinorit do të kushtojë 2.000,00€ (dymijë euro);
13.9.3 Licenca për trajnerin e tretë të huaj e tutje të regjistruar gjatë edicionit, do të kushtojë 5.000,00€ (pesëmijë euro)”.


 
Të gjitha lajmet nga