WIMBLEDON 2017
Korriku nis me ‘Wimbledon 2017’
30 June, 2017 @16:50
3-16 korrik 2017!
Këto janë datat e Wimbledonit të sivjetëm, një prej turneve më emblematikë të tenisit botëror.
64 teniserë në kategorinë e meshkujve e fillojnë këtë garë nga rrethi i parë (1/32), për të vazhduar më pas me ndeshje të njëpasnjëshme brenda 13 ditëve për ta arritur finalen e madhe.
Shorti ka përcaktuar rrugë të tillë që Federer e Djokovic të ndodhen në njërën anë, duke i mundësuar atyre përballje në fazën gjysmëfinale, nëse nuk ka ndonjë befasi, e në anën tjetër numri 1 në botë, Andy Murray, dhe spanjolli Rafael Nadal mund të ndeshen në gjysmëfinalen tjetër, gjithmonë nëse nuk ka ndonjë befasi gjatë rrugëtimit. Në të njëjtën ‘anë’ me Murrayn e Nadalin ndodhet edhe Stan Wawrinka, i cili mund t’i befasojë njërin nga 2 favoritët për t’u ndeshur në gjysmëfinale.
Sa i përket pikëve në renditjen e përgjithshme, Murray mund të bie nga vendi i parë në Botë vetëm nëse eliminohet në gjysmëfinale e Rafael Nadal e fiton ‘Wimbledonin’. Vetëm ky skenar e zbret nga kreu skocezin Murrayn, ndërsa gjithçka tjetër që ndodh, e mban në krye Murrayn, i cili është edhe kampion në fuqi i ‘Wimbledon-it’.
Kur jemi te kategoria e femrave, në këtë turne për shkak të shtatzanisë sivjet mungon Serena Williams, duke bërë kshtu që epiteti i favorites të kalojë te Angelique Kerber, finalistja e vitit 2016.