PARA FILLIMIT TË STINORIT

Foto: LigaUnike/fb
Liga Unike: Caktohet data e shortit dhe inspektimi
23 September, 2021 @14:27
Zyrtarët e Ligës Unike kanë mbajtur takimin e radhës para nisjes së edicionit të dytë të garës mbarëkombëtare basketbollistike, ku përfshihen klubet e basketbollit nga Kosova e Shqipëria.
Drejtori i Ligës Unike, Dren Zatriqi së bashku me Sekretaren e Përgjithshme të Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, kanë pasur takim të frytshëm me klubet shqiptare për fillimin e edicionit të ri në Ligën Unike.
Pos skuadrave kosovare që janë bërë të ditura më herët te meshkujt dhe te femrat, tashmë janë konfirmuar edhe skuadrat shqiptare që do të marrin pjesë në edicionin 21/22 të garës.
Për femra, ky do të jetë edicioni i parë garues dhe pritet të jetë mjaft interesant.
Nga klubet shqiptare në këtë takim kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Teutës, Tiranës, Vllaznisë dhe Kamzës te meshkujt dhe Flamurtarit, Partizanit dhe Tiranës te femrat.
Siç dihet në edicionin e ri të Ligës Unike do të fillohet edhe me konkurrencën e femrave, ku do të marrin pjesë tri klube nga Kosova dhe tri nga Shqipëria.
Gjithashtu, në takim është caktuar edhe data e hedhjes së shortit për edicionin 21/22 të Ligës Unike.
Në stinorin e kaluar, për shkak të gjendjes pandemike përkatëse Liga Unike është mbajtur në formë turneu, ku kampion i parë dhe historik doli skuadra suharekase, Ylli.
E shorti për edicionin 21/22 është caktuar të mbahet më 2 tetor.
“Gjatë takimit është vendosur që shorti për edicionin e ri të mbahet më 2 Tetor, ditën kur do të mbahet edhe Klinika me Gjyqtarë,” ka bërë të ditur llogaria zyrtare e Ligës Unike sot.
Njashtu, është folur edhe për inspektimin e palestrave si dhe vendosjen e Komisarit të Garave.
“Në fundjavë zyrtarët e Ligës Unike do të inspektojnë palestrat e klubeve shqiptare që pritet të marrin pjesë në edicionin e ri, dhe më pas ky proces javën e ardhshme do të zhvendoset në Kosovë. Po ashtu sot Bordi i Ligës Unike do të mbajë mbledhje nga ora 18:00, ku do të vendoset se kush do të jetë Komisari i Garave në Ligën Unike dhe do të trajtohen tema me rëndësi për Ligën Unike,” ka përfunduar njoftimi.