FITORE PËR NGRITJE!

Foto: FCLiria/ fb
Liria i afrohet lideres me fitore ndaj Mitrovicës së rënë
20 April, 2025 @18:10
Fitore e pritur e Lirisë sot në “Përparim Thaçi”, derisa ekipi i Leotrim Krasniqit ka vazhduar me formë të mirë në pranverë. E me fitoren e sotme ndaj Mitrovicës që ka rënë nga Liga e Parë me sot, ekipi prizrenas i është afruar në tre pikë Drenicës lidere në Grupin A të Ligës së Parë!
Liria fitoi ndeshjen 2-0 [Xhulio Mehmeti 14’, Dijar Nikqi 49’] për të arritur në kuotën e 43 pikëve dhe për tu ngritur në pozitë të dytë të tabelës (pozitë kjo që siguron barazhin për Superligë). Pas kësaj ndeshjeje Lirinë e presin edhe dy derbi të mëdha, pret Trepçën dhe udhëton te Vëllaznimi! Këto ndeshje pritet të jenë përcaktuese për rrjedhën e mbetur në katër xhirot e fundit të stinorit në Grupin A të Ligës së Parë!
Mitrovica në anën tjetër e drejtuar nga Nazmi Rama, me sot edhe zyrtarisht është pjesë e Ligës së Dytë të Kosovës, pasi që me humbjen e 16-të sezonale, ekipi i posa ardhur në Ligë të Parë nuk arriti të mbijetojë aty! Mitrovica është e fundit në Grupin A (e dhjeta) me 11 pikë nga 23 ndeshje. Kurse, kur kanë mbetur edhe katër xhiro deri në fund të stinorit, pozita e shpëtimit është 13 pikë larg!