PRISHTINA MENZI FITON DERBIN LOKAL
Ngushtë, por Prishtina siguron fitoren ndaj Borës
12 January, 2025 @19:53
Në një ndeshje mjaft të ngjeshur sa i përket rezultatit ku secili ekip do ta mund ta fitonte ndeshjen në fund, Prishtina ka festuar në fund. Ekipi i drejtuar nga Murat Bilge ka mposhtur Borën me vetëm tre pikë dallim, për të siguruar fitoren, 86-83.
Ricky Tarrant me 25 pikë e 5 asistime ka qenë më efikasi te Prishtina, ndërsa 22 pikë e 7 kërcime në fitore i ka bërë edhe Rasid Mahalbasic. Me 11 e 10 pikë ndeshjen e përfunduan, Donte Clark përkatësisht Muhamedali Janjeva.
Një lojtar luajti pa pushim te Bora, ndërsa dy të tjerë ishin shumë afër 40 minutëshit. Desmond Cambridge dha 26 pikë, 7 asistime e 7 kërcime, në 40 minuta lojë. Me një sekond pushim në ndeshje, Adem Mekic MVP i xhiros së kaluar nga FBK-ja dha 17 pikë, 5 asistime e 8 kërcime, kurse Henrik Sirko shënoi 12 pikë në 38 minuta lojë, bashkë me 3 asistime e 4 kërcime.
Fitorja, bën që Prishtina të ngritet në pozitë të tretë të renditjes tabelare të Superligës me bilanc 8-8. Bora e parafundit në renditje në pozitë të shtatë, mbetet me 5 fitore, por tash humbjet shkojnë në 11.