KAMPIONI FITON

Foto: FBK
Pas dy humbjeve, kampioni i kthehet fitores
12 March, 2023 @21:01
Kampioni i Kosovës në basketboll, Ylli, pas dy humbjeve rresht që i pësoi në Superligë nga Prishtina e Peja, i është kthyer fitores sonte, duke e mposhtur ekipin e Prizrenit në 13 qershori të Suharekës.
Pas pjesës së parë thuajse të barabartë, ekipi i kampionëve aktual është shtrënguar pak më shumë në pjesë të dytë, për të bërë dallime me 3 e 6 pikë sipas çerekëve në vazhdim për të fituar ndeshjen në fund me 81-68.
Chris Harris me 21 pikë e 18 kërcime ka qenë më i dalluari te Ylli, ndërsa 15 pikë e 12 kërcime bëri Gëzim Morina, derisa Bashir Ahmed luajti me 14 pikë, 3 asistime e 4 kërcime.
Te Prizreni, që nuk po gjen assesi rrugën e fitores më efikasi ka qenë Wayne Arnold me 17 pikë të shënuara.
Me fitore Ylli bën bilansin 18-7 pas 25 xhirosh, ndërsa deri në fund i kanë mbetur edhe 3 ndeshje për të përcaktuar renditjen përfundimtare në stinor të rregullt para PlayOffit. Vëllaznimi, Trepça e Bashkimi do të jenë kundërshtarët e fundit të ekipit të Adis Beciragicit në stinorin e rregullt.
Prizreni në anën tjetër ende nuk e ka të sigurt a do të mbetet në zonën PlayOut apo PlayOff, ndërsa ka bilans 7-18 kurse në 3 ndeshjet e fundit ndeshet me Rahovecin, Vëllaznimin dhe Prishtinën.