WINTERSPORTS
Programi për sportet dimërore
Shkruan: LUAN MORINA
8 December, 2018 @10:16
Arti në akull
Yuzuru Hanyu hoqi dorë nga finalet e Grand Prix së këtij sezoni, të cilat nisin sot në Vancouver të Kanadasë. Në vendin mikpritës të Olimpiadës së para tetë viteve do të mungojë edhe Evgenia Medvedeva. Kampionia e dyfishtë e botës nuk ia doli të kualifikohet duke dëshpëruar në dy garat e saja këtë sezon. Medvedeva u rrëzua në të dy garat që mori pjesë, dhe vendin e saj tek femrat do ta zë Sofia Samodurova.
Tek femrat do të jetë luftë ndërmjet Japonisë dhe Rusisë. Khira, Miyahara, e Sakamoto kundër Zagitovas, Tuktamyshevas, e Samodurovas. Janë edhe kategoria e çifteve dhe vallëzimit që kanë nga tre përfaqësues nga Rusia, gjersa tek meshkujt në mungesë të Hanyus - madhështor edhe këtë sezon, lufta do të duhej të zhvendoset tek Uno dhe Chen. Një gjë është e sigurt – s’do të zhgënjehemi as me finalet e Grand Prix pas një vjeshte fantastike në akull.
Kërcimet
Japonia po kalon një periudhë ringjalljeje edhe në kërcime me ski. Ryoyu Kobayashi nuk ka zbritur nga podiumi në asnjërën nga pesë garat e deritashme, duke fituar tri nga to. Japonezi 22 vjeçar tashmë ka 135 pikë më shumë se ndjekësi i parë – polaku Piotr Zyla i cili përfundoi dy herë në podium në Nizhny Tagil.
Rusia nuk ishte stacion i këndshëm për Andreas Wellingerin i cili u desh të kënaqet me dy pozita të trembëdhjeta, dhe sllovenin Domen Prevc i cili pas dy pozitave të katërta në Ruka, ishte vetëm i 14ti në Rusi. Por, Forfangu, me një fitore dhe një pozitë të dytë sikur këndelli norvegjezët, tek të cilët formën më stabile po tregon Robert Johansson. Klimov u kthye në Top10 në vendlindje, por mbetet larg kryesuesve.
Anulimi i garës në Titisee-Neustadt, na lë një vikend pa kërcime me ski, me garat e fundit para Turneut të Vitit të Ri, të cilat zhvillohen fundjavën e ardhshme në Engelberg.
Alpinët
Fitorja në Super në Lake Louise, vetëm sa ngulit Mikaela Shiffrin-in në krye të renditjes së femrave. Ajo tashmë ka 248 pikë më shumë se Michelle Gisin me vetëm shtatë gara të zhvilluara këtë sezon. Rrezikojmë të kemi në sezon dominues në stilin e Tina Mazes, me amerikanen që do të tentoj të arrijë diçka të pabesueshme ndoshta!
E këtë sezon, tri-herë nënakampionia e botës, Lara Gut, ka vetëm 80 pikë. Për zviceranen 27 vjeçare, ky sezon vjen me një mbiemër shtesë, pasi gjatë verës është martuar me mesfushorin nga Vushtrria, Valon Behrami. Lara Gut-Behrami, deri tashti ka fituar 24 gara, përfshirë Kupën e Botës në vitin 2016 kur kishte fituar 6 gara, dhe 1522 pikë në 40 gara.
Tek meshkujt, Marcel Hirscher nuk e ka nisur me dominim të ngjashëm sikur Shiffrin. Ai u befasua në Sllallom të Madh nga Stefan Luitz. Për gjermanin ishte fitorja e parë në karrierë, gjersa në renditjen e përgjithshme udhëheq Max Franz pas fitoreve në Lëshim në Lake Louise dhe Super G në Beaver Creek.
Programi
Disiplinat teknike në Val d’Isere, para programit të zakonshëm në Val Gardena e Alta Badia janë në program për meshkujt, gjersa femrat para Val d’Isere e Courchevel, ndalojnë në St. Moritz me sllallomin paralel.