TREPÇA - PRISHTINA

Prishtina feston në “Minatori”, merr fund seria e Trepçës
13 March, 2021 @18:35
Ndeshja e dy rivalëve të vjetër të basketbollit kosovar, Trepçës dhe Sigal Prishtinës, ka përfunduar me fitoren e kësaj të fundit, e cila triumfoi me rezultat të ngushtë 80-85.
Trepça iu afrua shumë fitores kur edhe 21 sekonda para fundit pllejmekeri Ivan Koljevic shënoi trepikësh për rezultatin 80-83, por më pas loja e mirë taktike e prishtinasve për ta vonuar kohën funksionoi dhe në fund edhe u arrit fitorja për bardhekaltërit.
Prishtina në fakt kishte epërsinë në të shumtën e kohës, por jo edhe aq sa për t’u ndjerë komod, pasi që xehetarët gjithmonë ishin në ndjekje të afërt të rezultatit.
Kjo humbje për Trepçën do të thotë fundi i serisë prej 5 fitoreve rresht, derisa për Prishtinën ishte fitorja e dytë nën drejtimin e trajnerit Ljupčo Malinkov.
Më i miri në fitoren e Prishtinës ishte Nigel Johnson me 24 pikë e 9 asistime dhe Tevin Mack me 21 pikë, derisa te Trepca u dalluan Drilon Hajrizi dhe Ivan Koljevic me nga 20 pikë secili.
Me këtë rezultat tani të dyja skuadrat kanë pikë të njëjta në tabelë, me nga 9 fitore dhe 14 humbje.