Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

VËLLAZNIMI - TREPÇA

Barazim në kohën shtesë, Vëllaznimi e Trepça ndajnë pikët

Foto: KF Vëllaznimi / fb

Barazim në kohën shtesë, Vëllaznimi e Trepça ndajnë pikët


22 November, 2024 @15:08

Në ndeshjen hapëse të futbollit kosovar për këtë fundjavë, Vëllaznimi dhe Trepça kanë barazuar mes vete në “Liman Gegaj” të Malishevës.

Ndeshja në fjalë përfundoi 1-1 (Gentrit Bislimi 59’ / Moustapha Ba 90+1’).

FORMACIONET STARTUESE

Pjesa e parë nuk prodhoi shumë raste për shënim dhe u mbyll pa gola.

Te mysafirët, dy gjuajtje të njëpasnjëshme nga Emini e Ba e rrezikuan portën e Adi Hylës në minutën e 14’, por porta e gjakovarëve mbeti e paprekur në këtë rast.

Ndërkohë, Norik Krasniqi e pati njërin prej rasteve më të mira për gjakovarët në pjesën e parë. Gjuajtja e Krasniqit përfundoi shumë pranë portës (16’) pas një topi të ardhur nga Altin Vojvoda prej krahut të djathtë. Për t’u përmendur është edhe rasti i minutës së 41’, kur gjuajtjen e Rron Rogovës e priti portieri Januz Miftari, duke e shpëtuar portën mitrovicase.

TABELAT E GRUPEVE - LIGA E PARË

Pjesa e dytë filloi me dy raste të mira të gjakovarëve. Fillimisht përsëri i vëmendshëm ishte Januz Miftari (48’), portieri mitrovicas, ndonëse gjatë gjithë ndeshjes luajti me një lëndim, e më pas Norik Krasniqi lëshoi mundësi të artë, duke gabuar nga afërsia (51’). Për shkak të lëndimit në fjalë, Miftari u detyrua të zëvendësohet më vonë në minutën e 64’.

Trysnia gjakovare vazhdoi dhe erdhi goli. Një bombë-goditje nga Gentrit Bislimi me të majtën në minutën e 59’ ia dha gjakovarëve epërsinë.

Rast të mirë për ta barazuar rezultatin për mysafirët kishte Moustapha Ba (66’), por ky i fundit u tregua i pasaktë para portës vendase.

Gjithsesi, ishte pikërisht Ba ai që e shpëtoi skuadrën e tij nga humbja. Krejt në fund, i shërbyer nga zëvendësuesi Florent Hyseni, ishte Moustapha Ba ai që me kokë shënoi për 1-1 (90+1’). Me këtë rezultat u mbyll ndeshja.

Rezultati i shënuar në këtë takim më së miri i bën Drenicës, që ka rastin ta forcojë edhe më tepër kreun e klasifikimit në Grupin A të Ligës së Parë.

Xhiron që vjen, Vëllaznimi i shkon Istogut, kurse Trepça e pret ‘89-shin në Mitrovicë.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë