Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PA FITUES NË OBILIQ

Barazim në terren të vështirë

Foto: 2korriku.com

Barazim në terren të vështirë


Teksti: 2korriku.com

23 November, 2024 @21:05

KEK-u e 2 Korriku sot janë ndarë në “paqe”, me takimin e javës së trembëdhjetë të grupit “B” të Raiffeisen Ligës së Parë që u mbyll pa gola të shënuar e me nga një pikë për secilën skuadër.

Në fakt, sot ndeshja nuk ishte aspak e atillë që të mos shënohej asnjë gol, mirëpo kushtet e vështira për lojë siç duket ndikuan jashtëzakonisht shumë tek futbollistët, që për fat të mirë iu shpëtuan lëndimeve, ndonëse fusha në fillim të ndeshjes ishte thuajse e tëra më borë, e cila më pas u shkri e tapeti u kthye në një arenë të mbushur me baltë.

Gjithsesi, përkundër të gjitha rrethanave jo fort të përshtatshme për sportin e futbollit, në fushë u tregua angazhim e dëshirë për ta treguar veten nga të dyja skuadrat, me 2 Korrikun që sot ishte skuadër më e mirë e që rrezikoi shumë më shumë, kundër një KEK-u që sot nuk tregoi e krijoi aq shumë në fazën e sulmit.

Me mbrojtje të fortë e me dalje të shpejta përpara, 2 Korriku sot tentoi që të dalë me pikë të plota nga “Agron Rama”, ku thënë të drejtën skuadra verdh’ e blu krijoi bukur shumë raste, sidomos me anësorin brazilian Pedro Henrique, i cili në të dyja fraksionet e ndeshjes pati mundësi të mira për shënim, sidomos në pjesën e parë kur i vetëm me portierin Blakçori dështoi.

Ndërsa, sikurse pothuajse në secilën ndeshje të këtij edicioni, vlerësimi më i lartë i takon portierit Arnis Ajeti; i sigurt në daljet dhe vendimet që i merr, e po ashtu i pamposhtur në situatat një kundër një dhe goditjet nga largësia, është ky “gardiani” Ajeti që po kalon formë jetësore.

Në këtë mënyrë, takimi në mes “elektricistëve” dhe “kryeqytetasve” u mbyll ashtu siç nisi, me të dyja skuadrat që ruajtën pozitat e tyre në renditjen tabelare kur ka mbetur vetëm edhe një xhiro për të përfunduar stinori vjeshtor i kampionatit.

Ndeshja e fundit e “kampanjës” Raiffeisen Liga e Parë për vitin 2024 për 2 Korrikun është kundër Kikës, që do të zhvillohet të dielën e 1 Dhjetorit në stadiumin “2 Korriku”.

Raiffeisen Liga e Parë, Grupi ‘B’; Java e Trembëdhjetë:

KF KEK-u v. FC 2 Korriku 0-0

Gjyqtarët e ndeshjes: Dylot Brahimi (Mitrovicë), Visar Kelmendi (Pejë), Granit Bytyqi (Lipjan), Isak Ceroviku (Mitrovicë)

Delegat i ndeshjes: Faton Sejdiu (Prishtinë)

Vëzhguesi i i gjyqtarëve: Musa Gashi (Prishtinë)

Futbollistët/zyrtarët e ndëshkuar me karton të verdhë: Bler Thaçi 30’, Endrit Hashani 75’; Andi Oruqi 13’, Nderim Abdullahu 28’, Jehon Stublla 81’

Formacioni startues i KEK-ut: Armend Blakqori, Albin Mjeku, Jon Miftari, Abit Salihu, Kamer Rudari, Dardan Sekiraqa, Endrit Hashani, Bler Thaçi, Arbnor Shala, Adonis Aliu, Matheus Alison D. S.. Kryetrajner: Kron Sadiku.

U inkuadruan edhe: Torvioll Stullqaku 53’, Gentrit Aliu 53’, Rinor Tovërlani 81’

Formacioni startues i 2 Korrikut: Arnis Ajeti, Rron Statovci, Andi Namoni, Nderim Abdullahu, Albin Stublla, Jehon Stublla, Andi Oruqi (C), Gneilpekan Marius Camara, Redon Bejta, Ardit Gashi, Pedro Henrique. Kryetrajner: Besim Ademi.

U inkuadruan edhe: Arlind Maqedonci 82’, Ideal Abdullahu 90+1’


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë