NGRITEN MINATORËT
Trepça përmbys Rahovecin dhe ngritet në vend të dytë
10 November, 2024 @19:51
Fitorja e tretë me radhë në “shtëpi” si dhe rezultati baras i Vëllaznimit në ndeshjen e luajtur në Malishevë ndaj Besa Pejës, ka bërë që Trepça e drejtuar nga Emin Baliqi të dalë në pozitë të dytë të renditjes tabelare në Grupin A të Ligës së Parë, pozitë kjo që siguron barazhin për Superligë!
Mitrovicasit kanë pasur fillim jo të mirë, ndërsa kanë pësuar papritur nga mysafirët. Por, falë brazilianit Lucas Cunha ata janë këndellur shpejt që në pjesë të parë dhe pastaj në pjesë të dytë pa telashe kanë shkuar te fitorja: Trepça - Rahoveci 4-1 [Lucas Cunha 25’, 44’, Moustapha Ba 66’, Kamohelo Hoala 90’ - n.n. 12’].
Triumfi i shtatë sezonal, bën që Trepça të kalojë në vend të dytë dhe tash nga 12 ndeshje kanë 24 pikë, 4 më pak sesa liderja Drenica. Në xhiron e radhës, pas pushimit 10-ditor, mitrovicasit janë mysafirët pikërisht të Vëllaznimit - që shihet si luftë direkte për vend të dytë! Rahoveci ndërkaq, me humbjen e tetë sezonale është në rrugë jo të mirë dhe rrezikon rënien nga Liga e Parë, pasi është e nënta (e parafundit) në renditje dhe ka vetëm 6 pikë nga 12 ndeshjet e para të stinorit. Në xhiron e radhës përsëri udhëtojnë në Mitrovicë, kësaj radhe në duel me Trepçën’89.