PRISHTINASIT FITOJNË
Pas 5 xhirosh, 2 Korriku i kthehet fitores
Teksti: 2korriku.com
9 November, 2024 @22:40
2 Korriku është rikthyer tek fitorja, madje me shumë stil, pasi që arriti ta përmbys epërsinë e Vjosës, të fituar që në minutën e shtatë të ndeshjes.
Në stadiumin “2 Korriku”, kryeqyetetasit sot treguan vendosmëri dhe dëshirë për fitore, për çka edhe u shpërblyen në fund, me tri pikë të jashtëzakonshme, që ndihmojnë shumë në luftën e skuadrës për të ikur nga fundi i renditjes tabelare.
Një gol i shtatgjatit Gashi, i pesti në këtë kampionat, dhe goli i parë i Pedro Henrique, i dhuruan ekipit të drejtuar nga Besim Ademi fitoren pas pesë xhirosh.
Në fakt, ekipi i 2 Korrikut sot nuk e nisi aspak mirë ndeshjen, teksa pa veten në disavantazh që nga minuta e shtatë, kur Edon Koxha shënoi nga afërsia me lehtësi për 0-1.
Goli i pranuar sikur e “shkundi” ekipin vendës, që dalëngadalë mori veten e filloi të rrezikoi më shumë portën mysafire, madje këmbënguli për një penallti për një prekje me dorë të mbrojtësit të majtë mysafir, por e cila u cilësua si prekje me dorë jashtë zonës nga gjyqtari Jakupi – vendësit nuk u pajtuan aspak me këtë vendim.
Pas rastit të dyshimtë për penallti, erdhi minuta e tridhjetë e ndeshjes, kur harkimin e Kozmaqit nuk arriti ta largoi një nga qendër-mbrojtësit mysafir, dhe ngathtësinë e tij e shfrytëzoi për mrekulli sulmuesi kryesor i 2 Korrikut, Ardit Gashi, që nga afërsia barazoi shifrat në 1-1.
Menjëherë pas barazimit, ekipi vendës shtoi rastet e rrezikshme në drejtim të portës mysafire, ku vlen të përmendet goditja e bukur e Latifit që u ndal nga Miftari, e më pas topi i kthyer shkoi tek Gashi që goditi jo në mënyrën më të mirë dhe topi nuk gjeti rrjetën por u ndalë në transverzale.
Trysnia e vazhdueshme e ekipit nga kryeqendra u shpërblye, sepse në minutën e tridhjetë e shtatë u arrit goli i epërsisë, kësaj radhe me një kundërzbritje të shkëlqyeshme, ku topi i gjatë i portierit Ajeti u shfrytëzua në mënyrën më të mirë nga braziliani Pedro Henrique, që iu shmang mbrojtësit Bytyqi dhe e paraboloi portierin Miftari, me ç’rast i dha epërsinë skuadrës së tij, gjë që nuk ndryshoi më deri në fundin e ndeshjes.
2 Korriku me rezultatin në favor, shkoi në pushimin mes pjesëve më i qetë, për t’u kthyer në pjesën e dytë, në të cilën më shumë u përkujdes që ta mbroj rezultatin, ndonëse kishte mundësi që të befasonte kundërshtarët me kundërzbritje, sidomos me rastin e Camara dhjetë minuta para fundit, kur pasimi i tij final për Mehmetin u bllokua nga mbrojtja mysafire.
Vjosa në anën tjetër, tentoi disa herë, mirëpo krejt çka arriti ishin disa gjysmë-raste dhe goditje jashtë kuadratit. Rasti më i rrezikshëm i kësaj pjesë-loje ishte goditja në fund, kur portieri vendës, Arnis Ajeti, intervenoi për mrekulli dhe i dha vulën fitores së ekipit të tij.
Duhet përmendur dhe vlerësuar se sot për 2 Korrikun debutuan në ndeshje zyrtare mesfushori Beart Zhubi dhe sulmuesit Donat Mehmeti, të dy të ardhur nga ekipi junior, ku me shumë sukses janë paraqitur edhe në ndeshjet e garave evropiane. Të dy futbollistët u përgëzuan nga stafi i trajnerëve dhe bashkëlojtarët për paraqitjen e sotme, që do të mbetet përherë në mendjen e tyre.
Para pushimit, 2 Korriku mbyll xhiron e XII në pozitë të shtatë me 12 pikë nga 12 ndeshje, ndërsa Vjosa është e gjashta me 15 pikë të fituara nga 12 duele.
Pas kësaj xhiroje, Raiffeisen Liga e Parë do të shkoj në pushim dy-javor, për t’u kthyer më 23/24 Nëntor me ndeshjet e javës së trembëdhjetë dhe më pas më 27 Nëntor me ndeshjes e javës së katërmbëdhjetë, që njëkohësisht do të jetë java finale e stinorit vjeshtor në rangun e dytë të garave kampionale në futbollin kosovar.
—-
Raiffeisen Liga e Parë, Grupi ‘B’; Java e Dymbëdhjetë
FC 2 Korriku v. KF Vjosa 2-1
Golashënues: Ardit Gashi 30’, Pedro Henrique 37’; - Edon Koxha 7’
Gjyqtarët e ndeshjes: Përparim Jakupi (Gjilan), Visar Kupina (Prishtinë), Fidan Shala (Pejë), Milazim Berisha (Podujevë)
Delegat i ndeshjes: Enver Duriqi (Lipjan)
Vëzhguesi i i gjyqtarëve: Nexhmedin Mehana (Vushtrri)
Futbollistët/zyrtarët e ndëshkuar me karton të verdhë: Andi Oruqi 15, Pedro Henrique 54’, Andi Namoni 74’; Lorik Rexhepi 13’, Muhamet Llapashtica 54’
Formacioni startues i 2 Korrikut: Arnis Ajeti, Andi Namoni, Albin Stublla, Nderim Abdullahu, Rron Statovci, Andi Oruqi (C), Albinot Kozmaqi, Gneilpekan Marius Camara, Granit Latifi, Ardit Gashi, Pedro Henrique. Kryetrajner: Besim Ademi.
U inkuadruan edhe: Beart Zhubi 69’, Arlind Maqedonci 69’, Donat Mehmeti 84’, Agron Beqiri 90’+
Formacioni startues i Vjosës: Armend Miftari, Edon Koxha, Festim Haxhiu, Lorik Rexhepi, Leonard Shala, Riad Murseli, Muhamet Llapashtica (C), Auron Ademi, Endrit Bytyqi, Qlirim Berisha, Korab Luma. Kryetrajner: Meriton Baftiu.
U inkuadruan edhe: Meridijan Zejna 38’, Albijon Shurdhiqi 65’, Erjon Hasani 74’