Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

DEKLARATA E SELEKTORIT TË KOSOVËS

Franco Foda pas shortit: Gjasat janë 50/50

Foto: TOPSPORTI/ A. Paçarizi

Franco Foda pas shortit: Gjasat janë 50/50


22 November, 2024 @20:42

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, është deklaruar nga Nyoni i Zvicrës menjëherë pas shortit të hedhur sot në zyret e UEFA-së për playoff të Ligës së Kombeve.

Kosova, si vend i dytë i Grupit 2 të Ligës C të Kombeve ka mundësi që përmes duelit ndaj Islandës të kalojë për herë të parë në histori të saj në Ligën B të Kombeve. Mundësia që vendet e dyta në grupe të garojnë për më lartë, është futur për herë të parë në këtë edicion të Ligës së Kombeve, që është edicioni i tretë i garës.

E gjermani, pasi që pa Islandën në short, ka thënë se Kosova mund të shpresojë për Ligën B të Kombeve, pasi që gjasat për të arritur aty janë të barabarta për të dyja ekipet.

“Tani jemi të lumtur për ndeshjen kundër Islandës. Personalisht, nuk kam qenë kurrë në Islandë, por dihet që ata kanë një skuadër shumë të fortë. Megjithatë, edhe ne jemi në një formë dhe gjendje shumë të mirë. Mendoj se gjasat janë 50 me 50, dhe do të bëjmë gjithçka për të kaluar në Ligën B”, tha Foda.

Kosova përfundoi e dyta në Grupin 2 të Ligës C të Kombeve, duke përfunduar pas Rumanisë. Kosova i fitoi të gjitha ndeshjet tjera të grupit, por asnjë ndaj Rumanisë. Rumania si fituese e grupit kaloi automatikisht në Ligën B të Kombeve, ndërkaq Kosova si pozitë e dytë do të luajë playoffin.

Dardanët presin Islandën më 20 mars në Prishtinë, ndërsa do të udhëtojnë në Dublin më 23 mars për ndeshje të kthimit, kur edhe përcaktohet se në cilën Ligë të Kombeve do të luajë në edicionin e radhës, 2026/27. Përndryshe, Kosova është takuar me Islandën në kualifikimet e para tona pas pranimit në UEFA për Botërorin “Rusia 2018”. Të dyja ndeshjet Kosova i kishte humbur nga islandezët.

Më 24 mars të vitit 2017 në “Loro Boriçi” Kosova u mposhtë 1-2 [Atdhe Nuhiu 52’ - Bjorn Sigurdarson 25’, Gylfi Sigurdsson 35’]. Ndeshja e kthimit e luajtur në “Laugardalsvollur” më 9 tetor të të njëjtit vit përfundoi 2-0 [Gylfi Sigurdsson 40’, Johann Gudmundsson 68’] në të mirë të vendasve.


 
Të gjitha lajmet nga Liga e Kombeve