BASHKIMI-PRIZRENI

Prizreni arrin fitoren e parë, në derbin lokal
25 September, 2022 @20:54
Pas një ndeshjeje tepër interesante të zhvilluar në Sezai Surroi, Prizreni ka arritur të fitojë derbin lokal ndaj Bashkimit për të siguruar fitoren e parë kampionale në Superligë 22/23.
Bardhezinjtë e drejtuar nga Arbnor Rifati nuk janë dorëzuar, edhe pse Bashkimi paralajmëroi një çerek të fundit luftarak, derisa kanë shkuar në fitoren e parë të stinorit duke shënuar të parët këtë stinor mbi 100 pikë në ndeshje për fitoren 93-101 [18-23, 14-32, 37-16, 24-30].
Atë që e bëri Prizreni në çerek të dytë të ndeshjes, Bashkimi e riktheu në të tretin edhe më ashpër, për të nisur 10-minutat e fundit të ndeshjes me vetëm dy pikë dallim, Bashkimi 69-71 Prizreni.
Por bardhezinjtë u treguan më të saktë në çaste, për të fituar ndeshjen në mënyrë komode në 2 minutat e fundit, pasi që dy topa të humbur nga vendasit sonte mundësuan shkëputjen në rezultat të mysafirëve, për të shkuar te fitorja e parë kampionale me 8 pikë dallim dhe duke shënuar pikët e para treshifrore kampionale këtë sezon.
Paraqitje mbresëlënëse ka pasur Wayne Arnold, që kreu ndeshjen me 33 pikë të shënuara, duke bërë edhe 5 kërcime. Njëzetenjë pikë të tjera i ka shënuar i posa ardhuri në ekip, Dachon Burke, që bëri edhe 2 asistime e 6 kërcime në debutimin e tij për ekipin e ri në Superligë.
Ndërkaq Urim Zenelaj, si zakonisht, kreu lojën me double-double prej 13 pikëve dhe 11 kërcimeve.
Te Bashkimi, që nuk ndezi në momentet vendimtare të ndeshjes Fahro Alihodzic me 21 pikë e 8 kërcime ka qenë koshashënuesi më i mirë i skuadrës, derisa me nga 19 pikë ndeshjen e përfunduan CJ Keyser dhe Altin Morina, ku i pari bëri edhe 4 asistime e ky i fundit, 7.
Pas kësaj ndeshjeje Bashkimi dhe Prizreni kanë bilans të njëjtë pas tri xhirosh, 1-2. Në xhiron e radhës Bashkimi pret Rahovecin, ndërsa Prizreni Yllin.