FRENCH OPEN

Pamje nga arkivi
Roland Garros shtyhet për një javë, në shpresë të shikuesve
8 April, 2021 @12:27
Njëra ndër katër Grand Slamet e tenisit në botë, Roland Garros apo French Open, ka vendosur që të shtyejë datën e fillimit të garës për një javë, vetëm e vetëm për të shpresuar se do të mund të grumbullojnë më shumë shikues në terrene.
Datat e reja të turneut janë vendosur të jenë nga 30 maji deri më 13 qershor, ndërsa ndeshjet kualifikuese nisin një javë më parë.
Federata e Tenisit të Francës (FFT) ka thënë se zgjidhja më e mirë ishte shtyerja.
“Jemi të kënaqur që të gjitha autoritet shtetërore e sportive janë të njoftuara dhe kanë mirëpritur vendimin për shtyerjen një-javore të turneut. Kjo do t’i jep kohë situatës shëndetësore për të rritur gjasat që të mirëpresim shikues në terrene të transformuara rishtaz,” ka shkruar njoftimi i FFT-së.
“Për tifozët, lojtarët dhe atmosferën, prezenca e shikuesve është vitale në këtë turne, që është turneu më i rëndësishëm sportiv pranveror në glob,” ka vazhduar komunikata.
Ndërsa me datat e reja të turneut tash pritet që Roland Garros të përfundojë vetëm dy javë para se të nis Wimbledoni, Grand Slami tjetër, ndër më të vlefshmit.
Krejt kjo, pasi që në qershor Franca pritet të zbusë masat anti-covid, pasi që vendi është duke kaluar valën e tretë të mbylljes.