AUDRIUS PRAKURAITIS

Sulm më të mençur në ndeshjen tjetër
7 April, 2023 @1:33
Trajneri i Bashkimit, Audrius Prakuraitis, pas ndeshjes së parë çerekfinale të PlayOffit është shprehur të jetë i kënaqur nga ekipi i tij, pasi që me mungesa lojtarësh, ka arritur t’i bëj ballë Trepçës deri në sekondat e fundit të ndeshjes.
Ai ka shtuar ndër të tjera se ka qenë shumë e vështirë për ekipin që të bëj më shumë pasi që kanë luajtur kryesisht me pesë lojtarë këtë ndeshje, karshi një Trepçe që ka ekip me rotacion të gjerë.
“Jemi të kënaqur që jemi këtu, ku njerëzit janë të mirë dhe publiku i plotë përkrah ekipin e tij. Kemi qenë shumë afër, gjatë gjithë ndeshjes. Natyrisht që është zhgënjyese që nuk arritëm t’i kapnim për pak në rezultat. Por ata kanë rotacion më të madh, për ne ka qenë vështirë, pasi që kemi luajtur me gjashtë lojtarë nga çereku i tretë. Përgjithësisht kemi luajtur lojë të mirë.” - ka thënë trajneri lituanez i prizrenasve.
Ndërsa, i pyetur për shpresat në duelin e radhës, që luhet pas tre ditësh ai ka qenë i qartë.
“Në ndeshjen tjetër nëse e bëjmë mbrojtjen e njëjtë dhe sulmin pak më të zgjuar atëherë mund të shpresojmë në fitore.”
Bashkimit së fundi i mungoi edhe qendra Samardo Samuels, ndërsa ekipi pos pesëshes së parë për pak minuta shfrytëzoi edhe Hajriz Hazerin e Qëndrim Birajn, sa për të pushuar ndonjëri nga startuesit në lojë. Çerekfinalja e PlayOffit luhet deri në dy fitore, ndërsa mitrovicasit tash kanë epërsinë 1-0. Fituesi i kësaj serie në gjysmëfinale ndeshet me rekord-kampionen e Kosovës, Prishtinën.