MITROVICË

Tmusic duhet të operohet
14 October, 2022 @13:47
Njëri ndër transferet e bujshme verore të Trepçës, reprezentuesi i Kosovës Mikaile Tmusic, do të duhet t’i nënshtrohet intervenimit kirurgjik ka bërë të ditur ekipi mitrovicas dje.
Sipas njoftimit, Tmusic është lënduar në përballjen e fundit që Trepça e zhvilloi kundër Prishtinës dhe e fitoi atë, ndërsa ekzaminimet mjekësore kanë treguar se ai do të duhet t’i nënshtrohet operimit.
“Gjatë ndeshjes së mbrëmshme (të mërkurën, v.j.) Mikaile Tmusic pësoi një lëndim që pas ekzaminimeve të detajuara mjekësore doli të jetë i komplikuar dhe se për të tejkaluar këtë, ai duhet t’i nënshtrohet një intervenimi kirurgjik. Mikailes i dëshirojmë shërim të shpejtë dhe të kthehet në fushë edhe më i fortë,” ka shkruar ndër të tjera KB Trepça në njoftimin e saj botuar dje.
Deri tash në Superligë Tmusic 29 vjeçar, ka luajtur me mesatare 23 minuta për lojë, ndërsa ka shënar 11 pikë për ndeshje, 1.3 asistime dhe 3.3 kërcime. Trepça ka bilanc 4-1 dhe humbjen e vetme të stinorit e ka ndaj Pejës. Në ndërkohë mitrovicasit fituan Superkupën Mbarëkombëtare në kuadër të Ligës Unike, duke e mposhtur Tiranën në finale.