Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PREZANTOHET BYLBYL SOKOLI

Bylbyl Sokoli merr drejtimin e Drenicës

Fotot: FCDrenica/ fb

Bylbyl Sokoli merr drejtimin e Drenicës


10 October, 2024 @11:46

Edhe zyrtarisht mbrëmë Bylbyl Sokoli u emërua trajner i ri i Drenicës. Ekipi kuqezi nga Skenderaji, që ditë më parë ndau rrugët me Megzon Visokën edhe pse nuk kishte asnjë humbje në Ligë të Parë - Grupi A, ka vendosur që të merr Sokolin për vazhdim të stinorit!

Drenica ka bërë të ditur se ka nënshkruar marrëveshje një sezonale me Sokolin, që do të nis menjëherë punën me ekipin e parë të drenicakëve. Tekniku 66 vjeçar ka karrierë të pasur si trajner, ndërsa ndikimi i tij në futbollin e Kosovës është i njohur, pasi që edhe ka qenë profesor universitar.

Bylbyl Sokoli @ Drenica

“Drejtuesit e klubit, kanë arritur marrëveshje që Bylbyl Sokoli, të emërohet kryetrajner i ekipit.
Marrëveshja më ‘profën’ është njëvjeçare dhe ai do të filloi menjëherë punën me skuadrën.
Sokoli sot gjatë ditës është prezantuar si kryetrajner i skuadrës në ambientet e klubit.
‘Profa’ ka qenë pjesë e shumë skuadrave shqiptare dhe kosovare, kurse tashme do të jetë pjesë e klubit tonë për kampionatin 2024/25.”
- ka bërë të ditur FC Drenica në njoftim.

Drenica është në luftë për Superligë! Ekipi kuqezi është i vetmi pa humbje në të dyja grupet e Ligës së Parë. Në Grupin A, lider është Vëllaznimi me një pikë më shumë sesa Drenica. Drenica nuk ka pësuar ende asnjë humbje dhe ka 5 fitore e 3 barazime nga 8 xhirot e para të zhvilluara. Para Drenicës, këtë mesjavë trajner të ri emëruan Liria dhe Rilindja 1974 - të gjitha pjesëmarrëse në të njëjtin grup të Ligës së Parë!


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë