Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FILLIM I MBARË

Trepça e nis stinorin me fitore

Foto: KBTrepca/ fb

Trepça e nis stinorin me fitore


25 September, 2024 @22:14

Kampionja e Kosovës, Trepça, e ka filluar misionin për mbrojtje të titullit me fitore. Ekipi që shtyu ndeshjen e xhiros së parë për shkak të angazhimeve në kualifikime për Basketball Champions League, ka luajtur sot ndeshjen e xhiros së dytë ndaj Yllit, të cilën e ka fituar me 10 pikë dallim, 77-67.

Mitrovicasit kanë qenë më të mirë sesa mysafirët, të cilët janë nënkampionë aktual të Kosovës, në çdo çerek pos atij të fundit, kur edhe paksa u ngushtua epërsia e Trepçës, e arritur përgjatë 30 minutave të para të ndeshjes.

TABELA AKTUALE & REZULTATET

Desmond Cambridge me 20 pikë, 3 asistime e 8 kërcime ka qenë koshashënuesi më i mirë i Trepçës në fitore, ndërsa me 15 pikë u dallua Samuel Hunter e 13 të tjera, bashkë me 8 asistime e 8 kërcime i shënoi Malik Johnson.

Terrell Brown i Yllit, përkundër se dha më shumë se gjysmën e pikëve të ekipit të tij, 35, nuk pati ndihmën e mjaftueshme të bashkëlojtarëve për të bërë më shumë dhe kështu suharekasit pësuan humbjen e parë sezonale. Pos Brownit, vetëm edhe kapiteni i ekipit Gëzim Morina ka arritur të regjistrojë pikë dyshifrore për Yllin sonte, duke shënuar 10 pikë, 4 asistime dhe 9 kërcime.

Pas dy xhirove të para, Trepça ka bilanc 1-0, ndërsa Ylli bëhet me bilanc 1-1 sonte.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga