Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FITORE ME REKORD PIKË

Trepça me rekord pikë, mbyll stinorin e rregullt me fitore

Foto: KBTrepca/ fb

Trepça me rekord pikë, mbyll stinorin e rregullt me fitore


1 April, 2023 @20:06

Për herë të parë këtë stinor në Superligë Trepça ka shënuar mbi 100 pikë në një ndeshje kampionale, ndërsa ka mposhtur Vëllaznimin e Gjakovës në përballjen e fundit për ekipet në fjalë në kuadër të stinorit të rregullt të elitës.

Të dyja skuadrat nuk kanë lëvizur nga vendet e tyre, pasi që ato i kanë siguruar javë më praë, ndërsa mitrovicasit mbyllin stinorin e rregullt me pozitën e katërt ndërsa gjakovarët në të gjashtin. Të dyja kanë siguruar çerekfinalen e PlayOffit.

Sa i përket lojës së sontme, fitorja e Trepçës edhe ka qenë e pritur, ndërsa ekipi për herë të parë arriti të shënojë 107 pikë, duke shënuar rekord të stinorit për xehetarët. Në fund, Trepça 107-85 Vëllaznimi ka qenë rezultati përfundimtar.

Dallimi kryesor në ndeshje u bë në çerek të parë, ku Trepça avancoi me 11 pik (29-18) e pas kësaj përkundër se Vëllaznimi luftoi mjaft, beteja ishte e pamundur të fitohej, pasi që mitrovicasit e drejtuar nga Engin Gençoglu shtuan avantazhin në çerek të tretë (29-22) dhe të katërt (31-27), e vetëm në të dytin ishin baras (18-18).

TABELA AKTUALE

Me nga 22 pikë të shënuara, koshashënuesit më të dalluar të Trepçës sonte kanë qenë Mikaile Tmusic dhe Jamal Artis, ndërsa 17 i dha Erjon Kastrati në përballjen ku Gençoglu i dha mundësi të gjithë lojtërve në dispozicion që të paraqiten në parket, me minimalisht 4.36 minuta për të riun Blend Mehana, që dha 2 pikë dhe bëri 2 kërcime për aq minuta.

Tmusic ka qenë më i vlefshmi te Trepça sonte. Reprezentuesi i Kosovës kreu lojën me 22 pikë, 4 asistime e 6 kërcime, duke arritur te indeksi i vlefshmërisë 28, ndërsa shutoi 4/5 për tri pikë.

Te Vëllaznimi, që u nda me qendrën Damonte Dodd ditë më parë, më efikasi ka qenë Jordan Harris me 29 pikë, ndërsa 16 të tjera i dha Shëndrit Llapi. Derisa Harris shutoi 4/8 për tri pikë ai bëri edhe 5 asistime e 5 kërcime në ndeshje.

Siç u tha edhe më lartë, pozitat nuk ndërruan në tabelë, ndërsa Trepça stinorin e rregullt e mbylli me bilans 17-11 kurse Vëllaznimi 9-19. Mitrovicasit në PlayOff do të ndeshen me Bashkimin e Prizrenit dhe do të kenë epërsinë e terrenit vendas, ndërsa Vëllaznimi do të ketë punë ndaj kampionit aktual, Ylli.


 
Të gjitha lajmet nga