Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KAMPIONI KALON FAZËN E PARË

Trepça mposhti Keravnosin dhe kalon në rrethin kualifikues të radhës

Trepça mposhti Keravnosin dhe kalon në rrethin kualifikues të radhës


18 September, 2024 @14:54

Trepça ka arritur të shënojë fitore ndaj Keravnosit në kuadër të çerekfinales kualifikuese për Basketball Champions League, duke e fituar duelin e zhvilluar në Antalya me 3 pikë dallim, 82-79.

Me mbrojtje të mirë në fund të ndeshjes, mitrovicasit kanë arritur që të ndalin sulmin kundërshtar, për të dalë në epërsi me pikët e shënuara në fund, e sulmin e fundit qipriotët nuk treguan saktësi për të barazuar dhe u eliminuan.

Tani, në gjysmëfinalen kualifikuese për Basketball Champions League kampioni i Kosovës do të ndeshet me Nymburkun çek, më 20 shtator.

Trepça ka fituar ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e Kampionëve.
Në Antalia të Turqisë, mitrovicasit fituan ndaj skuadrës qipriote, Keravnos 82:79 (23:14, 21:30, 19:12, 19:23).
Ndeshja në fakt ka qenë shumë interesante, duke u vendosur në çastet e fundit.
Kampionët e Kosovës e nisën shumë më mirë ndeshjen, duke e fituar çerekun e parë 23:14, por kundërpërgjigja e qipriotëve nuk vonoi shumë, ku pjesa e parë përfundoi baras, 44:44.
‘Xehetarët’ sërish ishin më të mirë në periodën e tretë, por Keravnos u rikthye, duke e bërë ndeshjen shumë interesante.
Vendimtar ishte treshja e MVP së Superkupës, Desmond Cambridge për 80:79, kurse dy pikët nga Malik Johnson nga gjuajtja e lirë ngritën epërsinë në 82:79, derisa basketbollistët e Keravnos, në aksionin e fundit tri herë tentuan për tri pikë, por pa sukses.
Te Trepça u dalluan Mikaile Tmusiq me 20 pikë e gjashtë kërcime, Desmond Cambridge me 22 pikë dhe Samuel Hunter me 10 pikë e gjashtë kërcime.
Trepça të premten do të ndeshet me kampionin e Çekisë, Nymburk.
Nëse arrin në finale, Trepça do të luajë përballë fituesit nga takimet në mes të: Kutaisi (Gjeorgji), Levice (Sllovaki) e Kalev/Cramo (Estoni).
Në kualifikime janë 24 skuadra që do t’i bashkohen 28 skuadrave që tashmë janë përcaktuar për edicionin e ri. (marrë nga: FBK)


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga