PËRCAKTIMI I DATAVE TË REJA!
Trepça pritet të mësojë shpejt datën për duelin ndaj Hapoel GE
31 October, 2023 @11:35
Komiteti Ekzekutiv i FIBAs, pas një mbledhjeje urgjente në bashkëpunim me federatat përkatëse ka marrë vendim që të gjitha ndeshjet e ekipeve izraelite në kuadër të garave të FIBA Europe si vendas të zhvillohen në Qipro. Sipas garancive të dhëna nga qeveria qipriote, është thënë se të gjitha ekipet izraelite duke respektuar kushtet e autoriteteve lokale në ishull, do të mund të organizojë duelet aty.
Ndërkaq, FIBA Europe në një njoftim ka bërë të ditur se është duke punuar që sa më parë të dalë me një njoftim për ripërcaktimin e datave të ndeshjeve të ekipeve izraelite për dy xhirot e para të garave evropiane. Njëra nga ekipet e afektuara nga kjo është edhe nënkampionja e Kosovës, Trepça, që nuk ka udhëtuar për ndeshjen e parë si mysafir në Izrael për shkak të situatës së tensionuar atje.
Hapoel Galil Elion, kundërshtar i Trepçës në Grupin G të FIBA Europe Cup nuk ka arritur të organizohet për duelin e kësaj të mërkureje dhe e ka humbur me rezultat zyrtar, ka bërë të ditur ekipi kundërshtar i tyre për atë ndeshje, ZZ Leiden. Ndërkaq FIBA në njoftimin e saj ka shkruar:
“Ndeshjet e përcaktuara të luhen mes datave 30 tetor dhe 3 nëntor do të vazhdojë sipas orarit të përcaktuar në fillim të stinorit, duke plotësuar kushtet e autoriteteve qipriote. FIBA Europe po punon aktivisht për të ricaktuar duelet e pazhvilluara, të shtyera, nga xhiroja e parë dhe e dytë sa më shpejt të jetë e mundur.”
Në ndërkohe, Hapoel Galil Elion në llogarinë e vetë ka thënë se po tërhiqet nga gara evropiane pasi që FIBA Europe i ka dërguar vetëm urdhëra dhe nuk ka marrë parasysh kërkesat e tyre, pasi që ekipi kishte kërkuar të luajë duelet në Bullgari!