Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

TREPÇA FESTON SUPERKUPËN E RADHËS

Trepça vazhdon me trofe, mbron Superkupën

Trepça vazhdon me trofe, mbron Superkupën


11 September, 2024 @21:55

Trepça ka vazhduar sezonin e ri në basketboll aty ku e mbylli në stinorin e kaluar. Kampionja e Kosovës që mbylli stinorin 2023/24 me titull kampioni, ka fituar Superkupën e Kosovës që i paraprin stinorit 2024/25 duke e mbrojtur atë të fituar në vitin e kaluar.

Trepça e drejtuar nga Adis Beciragic nuk e ka lënë as kësaj radhe Prishtinën të fitojë finalen, duke e zgjeruar kështu dominimin e saj në dy vitet e fundit në basketboll të nisur fuqishëm nga stinori i kaluar. Në duele të ndërsjella seria e mitrovicasve është 13-0 ndaj bardhekaltërve, në rivalitetin e madh që ekziston mes këtyre dy klubeve.

Pos periudhës së parë, kur Prishtina kah fundi mori epërsinë dhe nisi mbarë të dytin, Trepça ka ndërruar shpejtësinë në mes të çerekut të dytë për të bërë dallimin në ndeshje. Pasi që mitrovicasit mbyllën pjesën e parë 34-40, shtuan epërsinë pas çerekut të tretë, ndërsa e mbrojtën rezultatin suksesshëm në atë të fundit, për të fituar ndeshjen 73-89 dhe për të sjellë gëzimin e radhës në klub.

Përballja e luajtur në “Sezai Surroi” të Prizrenit, që numëroi rreth 1500 shikues pa Trepçën të dominojë në fund të ndeshjes, ndërsa Sammy Hunter me 18 pikë ishte më efikasi te Trepça, kurse me 15 pikë u dallua Desmond Cambridge Jr. 14 pikë e 6 asistime i bëri Malik Johnson, ndërsa 13 i shënoi Larry Thomas, që bëri edhe 5 asistime e 4 kërcime në fitore.

Te Prishtina e Murat Bilges më efikasi ka qenë Jalen Moore me 20 pikë, 6 asistime e 8 kërcime. Mirëpo, ai humbi më së shumti topa në ndeshje, 7! Me 13 pikë luajti Josh Nzeakor, ndërsa 12 i dha Damiree Burns, që kreu lojën me double-double pasi bëri edhe 10 kërcime.

Trepça në fund festoi Superkupën e tretë të Kosovës, ku të parën e kishte fituar në vitin 2002, ndërsa të dytën në vitin e kaluar.

MVP i finales së Superkupës është shpallur Desmond Cambridge Jr, i cili e mbylli ndeshjen me 15 pikë, katër kërcime dhe dy asistime, çmim të cilin ia dorëzoi Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së.
Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu ka ndarë trofeun për kapitenin e mitrovicasve, Anes Gashi. 
Ndërkohë, medaljet e argjendta i kanë ndarë Shkëlzen Fetiu dhe Florian Miftari, derisa të artat Linda Shala dhe Artan Kurti.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga