VËLLAZNIMI - YLLI

Vëllaznimi fiton dramën, Beciragic e nis me humbje te Ylli
27 March, 2021 @18:23
Skuadra e Vëllaznimit ka shënuar një tjetër fitore shumë të rëndësishme për të vazhduar rrugëtimin e tij për të siguruar mbijetesën.
Gjakovarët në një dramë të vërtetë në “Shani Nushi” arritën ta mposhtin Golden Eagle Yllin me rezultat 60-56.
Vëllaznimi e kishte epërsinë në të shumtën e kohës, por në minutat e fundit e rrezikoi fitoren tejmase pasi që mysafirët e morën epërsinë në cerekun e katërt, kur kishte vetëm edhe 3 minuta deri në fund të ndeshjes (53-56).
Por më pas me një lojë të fortë në mbrojtje, Vëllaznimi e detyroi Yllin të dështojë në sulm dhe të mos shënojë asnjë pikë deri në fund.
Vendimtar në fitore ishin sidomos pikët e Robert Shestanit, Ty Nichols dhe Emmanuel Omogbo në minutën e fundit të ndeshjes.
Ylli në këtë përballje luajti për herë të parë nën drejtimin e trajnerit Adis Beciragic.
Omogbo me 17 pikë e 11 kërcime dhe Nichols me 15 pikë e 9 asistime ishin më të dalluarit te fitorja e Vëllaznimit, derisa te Ylli koshashënuesi më i mirë ishte Valon Bunjaku me 15 pikë të shënuara.
Kjo fitore i jep shpresë të madhe Vëllaznimit për mbijetesë, që tani i shmanget pozitës së fundit në tabelë me një ndeshje më shumë se Sigal Prishtina.