DION GALLAPENI NË WIDZEW LODZ

Foto: widzew.com
4 vjet kontratë dhe fjalë të mëdha për Dion Gallapenin
30 June, 2025 @11:42
Më 22 dhjetor të këtij viti ai do t’i mbushë 21 vjet, ndërsa që tash ka siguruar kontratë 4-vjeçare me ekipin e njohur polak, Widzew Lodz. Ai ka punuar shumë për ngritjen e shpejtë në karrierë dhe kjo gjë nuk ka kaluar pa u parë nga agjentët e huaj të futbollit, por edhe nga vetë Kosova, pasi që Dion Gallapeni depërtoi shpejt prej ekipit të grupmoshave në atë senior, ku tashmë ka shënuar edhe debutimin.
Futbollisti i deritashëm i Prishtinës, i rritur në ekipin e një shkolle të futbollit në Prizren, FC Winner, edhe zyrtarisht ka nënshkruar kontratë 4-vjeçare me ekipin polak, ndërsa krahu i majtë i mbrojtjes së Kosovës ka folur për faqen zyrtare të ekipit dhe ka treguar detaje lidhur me kalimin e tij në Poloni.
“Ky është një hap i rëndësishëm në karrierën time dhe jam i këanqur që kam bërë këtë zgjidhje. Widzew është klubme traditë dhe ka tifozë të çmendur në kuptimin pozitiv, ndërsa projekti i ekipit më është përshtatur për zhvillimin tim të mëtutjeshëm,” ka thënë Dioni për faqen e tashmë ekipit tij të ri.
“Kur pranova ofertën nga Widzew Lodz, bisedova me Kreshnik Hajrizin që gjithashtu ka luajtur këtu. Ai më ka thënë se kjo do të jetë një lëvizje shumë e mirë për mua personalisht,” shtoi Gallapeni.
Dion Gallapeni ka regjistruar 61 parqitje për rekord-kampionin e Kosovës përkundër moshës së tij të re. Ai ka 49 paraqitje në Superligë të Kosovës, ndërsa ka shënuar 2 gola dhe ka të regjistruara 8 asistime.
Në Kupë të Kosovës ka 12 paraqitje, ku ka shënuar 3 herë dhe ka 2 asistime. Ai së fundi fitoi Kupën e Kosovës me ekipin e tij të deritashëm, FC Prishtina.
Krahu i majtë i Kosovës ka regjistruar 3 paraqitje për ekipin senior nën drejtimin e Franco Fodës. Debutoi në mars të këtij viti në playoff të Ligës së Kombeve ndaj Islandës, të cilën Kosova e eliminoi dhe siguroi Ligën B të Kombeve. Gjatë qershorit ai u paraqit edhe në 2 miqësore të “Dardanëve” ndaj Armenisë dhe Komoreve.
Tepër fjalë të mira për të ka thënë edhe drejtori sportiv i ekipit polak.
“Në fazën defanzive, Dioni lexon lojën shumë mirë dhe bën presion te kundërshtari. Ai është shumë i kujdesshëm në markim të kundërshtarit. Në sulm, ai krijon hapësira për bashkëlojtarët dhe bashkëpunon tepër mirë me ekipin. Ai krijon avantazh në zonë të kundërshtarit dhe asiston në golat e shënuara nga ekipi i tij”, — deklaroi Mindaugas Nikolicius, drejtor sportiv i Widzewit.
Ish ekipi i tij, Prishtina, gjithashtu ka përshëndetur kalimin e tij në Poloni, ndërsa ka bërë të ditur që Prishtina gjithmonë do të jetë shtëpia e tij.
“FC Prishtina e përshëndet me mirënjohje dhe krenari largimin e Dion Gallapenit, i cili do ta vazhdojë karrierën e tij në Poloni.
Dioni ishte pjesë e rëndësishme e suksesit tonë, në triumfin në Kupën e Kosovës në edicionin që lamë pas teksa ishte shpallur edhe kampion i Kosovës me U21.
Me profesionalizëm, disiplinë dhe përkushtim, ai tregoi vlera të larta si sportist dhe si njeri për 6 vite sa ishte pjesë e klubit.
Ne jemi krenarë për rritjen dhe zhvillimin e tij brenda skuadrës tonë, dhe i urojmë suksese të mëdha në aventurën e re ndërkombëtare.
Klubi FC Prishtina do të jetë gjithmonë shtëpia e tij.”
Vlera e tij në tregun futbollistik llogaritet të jetë rreth 650 mijë euro, ndërsa sipas Transfermakrt, ekipi polak ka paguar 300 mijë euro për ta transferuar atë nga FC Prishtina.