PEJA KREU PUNË SHPEJT
Barazohet seria, Peja ia shkakton humbjen më të thellë Trepçës në PlayOff!
7 May, 2023 @19:00
Në çerekun e fundit u prit vetëm të kuptohet rezultati përfundimtar, pasi që siç u pa në lojë, pas pjesës së parë briliante, nuk kishte më dyshim për fituesin e ndeshjes së dytë të serisë së PlayOffit, derisa Peja mposhti me lojë të furishme Trepçën, për të barazuar serinë finale në 1-1.
Përndryshe në këtë ndeshje Peja është bërë ekipi që i ka dhënë më së shumti pikë në një ndeshje Trepçës në tërë PlayOffin deri tash, kurse mitrovicasit kanë pësuar humbjen më të thellë të PlayOffit ku po luajnë që prej çerekfinales.
Peja fitoi ndeshjen me rezultat të thellë ndaj Trepçës 107-79. Lehtësia e shënimit të pikëve te pejanët dhe mbrojtja e mirë ka bërë që Trepça të gabojë shumë që në fillim të ndeshjes. Përcjellur edhe atmosfera e zjarrtë në Karagaç, gjithçka u bë më e vështirë për mitrovicasit, të cilët për 5-minutat e para të lojës shënuan vetëm 2 pikë, karshi 20 të pranuarave. Dhe prej atij momenti, më kthim në ndeshje s’kishte për ta, e Peja vazhdoi me ritmin e saj për të shënuar fitore të thellë.
Sa i përket lojtarëve, Jalen Tate ka qenë më efikasi te Peja me 22 pikë të shënuara, ndërsa lojën e kreu me double-double duke bërë edhe 10 asistime. Te ekipi i Rami Hadarit u dalluan edhe kapiteni Arti Hajdari që dha 18 pikë (4/6 për tri pikë) si dhe Larry Thomas me 18 gjithashtu.
Dy minuta pa përfunduar ndeshja Peja mbeti pa qendrat e saja Brad Waldow e Marvin Jefferson, që morën nga 5-personale, por prej atëherë më në lojë kishte përfunduar gjithçka dhe fituesi dihej, derisa pritej vetëm rezultati përfundimtar.
Te mitrovicasit, Drilon Hajrizi ka qenë më i dalluari. Ai dha 18 pikë, bëri 2 asistime dhe 8 kërcime në këtë ndeshje, që nuk ka pse të mbahet në mend për ata. Jamel Artis dha 13 pikë e bëri 9 kërcime, kurse 12 të tjera dha Kendrick Brown (4/10 për tri pikë).
Seria bartet tash në Mitrovicë, ndërsa të enjten më 11 maj në Minatori luhet Trepça-Peja.