RIKTHEHET TE EKIPI I ZEMRËS
Prishtina rikthen Fisnik Rugovën
29 July, 2023 @10:09
Rekord-kampionja e Kosovës në basketboll, KB Prishtina, ka rikthyer në radhët e veta lojtarin që u rrit në ngjyrat bardhekaltër të kryeqytetit — Fisnik Rugova.
Përmes një njoftimi të lëshuar mbrëmë, ekipi i Prishtinës që në stinorin e kaluar mbeti pa trofe, tashmë në radhët e veta i kthen 207-centimetrat e Fisit, që ka përvojë të madhe në basketbollin kosovar.
Rugova që më 26 gusht mbush të 34-tat në stinorin e kaluar ka luajtur me sukses te Bashkimi i Prizrenit. Alo-qendra në stinorin e kaluar ka pasur mesatare prej 27.8 minutash për lojë, ku ka dhënë 9.1 pikë për ndeshje, 1.3 asistime për ndeshje dhe 5.8 kërcime për ndeshje.
Gjithashtu, derisa s’u përjashtua Bashkimi nga BIBL, Rugova në gjashtë ndeshjet e luajtura aty ka shënuar 7.3 pikë për ndeshje, 1.5 asistime dhe 3 kërcime për ndeshje. Në BIBL prishtinasi ka luajtur mesatarisht 19.3 minuta për lojë.
“Sot, me një befasi t’madhe për tifozët e Kryeqytetit, Fisnik Rugova, është konfirmuar të kthehet te Klubi i Kryeqytetit Prishtina.
Fisi i jashtëzakonshëm shihet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të skuadrës dhe ndërtimit të një ekipi të fortë.
Tani, t’gjithë presim me padurim fillimin e sezonit të ri, për të parë se si do të performojë Fisnik Rugova në ngjyrat e Klubit të Kryeqytetit Prishtina dhe për të festuar sukseset e reja që do të sjellë Fisi jonë.” — ka shkruar njoftimi i KB Prishtina.◼️