EKIPI BULLGAR NUK UDHËTON NË KOSOVË!

Bashkimi e Peja pritet të marrin nga një fitore shtesë!
14 March, 2023 @20:47
Skuadra e Bashkimit dhe e Pejës pritet të marrin nga një fitore me rezultat zyrtar në kuadër të BIBL, pasi që skuadra e Levskit 2014 nuk do të udhëtojë në Kosovë për ndeshjet e parapara nesër e pasnesër, pra më 15 e 16 mars.
Levski 2014 sipas orarit do të duhej të ishte mysafir i Bashkimit më 15, ndërsa një ditë më vonë mysafir i Pejës — por, njoftimi i fundit në BIBL ka bërë të ditur se ekipi nga kryeqyteti bullgar nuk do të mund të udhëtoj për në Kosovë, duke numëruar arsyet për këtë.
“Ekipi bullgar ka dërguar e-mail për të informuar ligën për vendimin që e ka marrë, pasi që finalet e Kupës së Bullgarisë kanë zhvendosur datat, si dhe telashet me dokumentacion të lojtarëve të huaj në ekip. BIBL përkundër se u mundua, Levski 2014 mbeti në Sofje dhe ndeshjet nuk do të luhen. BIBL shpreh keqardhje që tifozëritë në Kosovë nuk do të mund të shikojnë ndeshjet këtë javë. Vendimi final për rezultatet e ndeshjeve dhe dënimi për Levskin 2014 do të bëhet i ditur shpejt,” — ka bërë të ditur BIBL në njoftimin e lëshuar sonte.
Peja është e dyta në renditje të BIBL me bilans 7-2, Bashkimi është i parafundit me bilans 2-6, ndërsa Levski 2014 i fundit me 1-7.