FITORE E RADHËS

Bora fiton thellë, pret rivalin e PlayOffit
10 March, 2023 @12:10
Skuadra e Borës ka shënuar fitore të thellë në përballjen e parafundit të stinorit të rregullt në Ligë të Parë, duke e mposhtur Borean e Pejës me rezultat 114-61 [38-11, 28-13, 30-22, 18-15].
Ekipi i Arben Krasniqit, i konfirmuar në PlayOff, ka bërë edhe një hap tjetër drejt mundësisë për Superligë duke treguar forcën e madhe që ka, ndërsa Will Blet me 21 pikë e 9 kërcime ka qenë më efikasi në fitore.
Në total gjashtë lojtarë të ekipit të Borës kanë shënuar pikë dyshifrore, kurse Krasniqi i ka dhënë mundësi të gjithë basketbollistëve në dispozicion të shijojnë ndeshjen në këtë fitore të lehtë për ekipin e tij.
Borea me këtë ndeshje ka përfunduar stinorin, pasi që në xhiron e fundit pushon, ndërsa ekipi i Hekuran Husajt me disa mungesa është mposhtur thellë, e më efikasi në këtë përballje për ta ka qenë Andi Ahmeti me 21 pikë.
Bora hyn në xhiron e fundit të stinorit të rregullt të Ligës së Parë me bilans 22-7 në pozitën e tretë, ndërsa Borea mbyll stinorin me 14-16 ndërsa aktualisht është e gjashta, ku pritet edhe të jetë pas përfundimit të stinorit të rregullt të Ligës së Parë.