KOSOVA
Dardanët do të na mungojnë, pa lëndime fitojmë
Teksti: FBK
11 February, 2021 @17:57
Basketbollistët e Kosovës janë shumë të motivuar në përgatitjet dhe premtojnë maksimumin në përballje me Luksemburgun dhe Sllovakinë.
Kapiteni i Kosovës, Dardan Berisha, kishte munguar në ndeshjet e nëntorit, pot tashmë është i gatshëm të japë 100 % nga vetja për Dardanët. “Në ndeshjet e nëntorit nuk kam qenë unë, por prapë kemi disa mungesa. Entuziazmi është i madh. Po luajmë në vendin tonë. Motivi është shumë i madh. Shpresoj të përgatitemi sa më mirë. Kemi cilësi, por nëse nuk kemi lëndime kemi gjasa për tu kualifikuar tutje”, është shprehur Berisha për faqen zyrtare të FBK-së.
Për herë të parë janë grumbulluar edhe dy lojtarë të rinj si Denis Zenelaj dhe Dion Sheqiri. “Po gëzohem që ka edhe lojtarë të rinj, që në të ardhmen do t’i ndihmojnë Kosovës”.
Ai foli edhe për mungesën e tifozëve. “Sa herë kemi luajtur në shtëpi, përkrahja e tifozëve ka qenë e madhe. Ka qenë lojtari i gjashtë. Ne e dimë që po luajmë për shtetin dhe jam i bindur që secili do të japë maksimumin nga vetja. Do të na mungojnë shumë tifozët ‘Dardanët’”, deklaroi Dardan Berisha.
Kosova A më 18 Shkurt do të ballafaqohet me Luksemburgun, kurse më 20 Shkurt me Sllovakinë. Përballjet zhvillohen nga ora 19:00. Të dy ndeshjet do të zhvillohen në Prishtinë, ashtu siç të gjitha takimet e Grupit B parakualifikues për Botërorin 2023.
Në këtë grup, Islanda është lidere me tri fitore dhe një humbje, nga dy fitore kanë Kosova dhe Sllovakia, kurse Luksemburgu ndodhet në vendin e fundit me një fitore dhe tri humbje.
Nëse Dardanët shënojnë dy fitore në dy takimet e zhvilluara, atëherë do të kualifikohen në rrethin e ardhshëm.
Të gjitha ndeshjet e Dritares së Tretë të Grupit B do të zhvillohen në Prishtinë. Ky ishte vendimi i mëhershëm nga Bordi i FIBA Evropës, duke i besuar edhe një ngjarje të rëndësishme Federatës së Basketbollit të Kosovës