KOSOVA - ZVICRA
Paraqitje fantastike e Kosovës, Rami Hadar debuton me fitore
19 July, 2023 @22:24
Në ndeshjen e parë nën drejtimin e trajnerit Rami Hadar, Kosova ka zhvilluar paraqitje fantastike dhe ka shënuar fitore ndaj Zvicrës në “Sezai Surroi”. Ndeshja ishte e vlefshme për grupin parakualifikues drejt EuroBasket 2025, grup të cilin Kosova e hap me fitore. Mbrojtje e fortë, luftë si rrallë herë për çdo top dhe sulme të organizuara mirë janë disa prej veçorive që i pamë te loja e Kosovës sonte.
Ndeshja u mbyll me rezultatin përfundimtar 76-49.
Çereku i parë ishte kryesisht i barabartë dhe u mbyll 18-16, e Kosova tregoi paraqitje fantastike në çerekun pasues. Mbrojtje tejet e mirë, plot 4 topa të vjedhur dhe një seri prej 11-0 bënë që Kosova ta fitonte çerekun e dytë 23-8. Kështu, në pushim mes pjesëve Kosova shkoi me epërsi të konsiderueshme prej 17 pikëve, 41-24.
Për t’u përmendur është fakti që Rami Hadar vetëm në pjesën e parë iu dha hapësirë loje 10 prej 12 lojtarëve të ftuar për këtë takim. Deri në fund të ndeshjes, minutazh pati për të gjithë lojtarët e ftuar te Kosova sonte.
Mes tjerash, nga çereku i dytë për t’u përmendur është një bllokadë fantastike e Dardan Kapitit ndaj Toni Rocakut zvicran.
Kosova ishte më e mirë edhe në çerekun e tretë, të cilin e fitoi 27-14, për të hyrë në çerekun e fundit pranë rezultatit 68-38. 10-minutëshi i fundit më pas u mbyll 8-11, për përfundimtaren 76-49.
Kapiteni Dardan Berisha me 20 pikë ishte më i miri te Kosova sonte, e përveç tij i natyralizuar Dominic Artis gjithashtu pati paraqitje tejet të mirë sonte. Ai takimin e mbylli me 19 pikë. Nuk duhet harruar edhe paraqitja e Drilon Hajrizit (14 pikë, 12 kërcime) si dhe ajo e Dardan Kapitit me 11 pikë.
Te Zvicra sonte më i miri ishte Toni Rocak me 12 pikë.
Ndeshjen e ardhshme në kuadër të grupit parakualifikues Kosova e luan si mysafire ndaj Danimarkës më 26 korrik. Grupi i Kosovës përmban vetëm këto 3 skuadra (Kosovën, Zvicrën dhe Danimarkën), e tutje në rrethin tjetër kualifikues kalon vetëm vendi i parë i grupit.